Mauro Icardi u rikthye në fushë plot 53 ditë pas ditës kur klubi zikaltër vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit, veprim ky që u pasua me një “luftë të ftohtë” mes palëve, fundi i të cilës nuk dihet ende.

I vërshëllyer nga tifozëria zikaltër, por edhe nga ajo gjenoveze, pasi ka veshur fanellën e Sampit më herët, sulmuesi argjentinas u impenjua maksimalisht dhe luajti një rol mjaft të rëndësishëm në triumfin 0-4 të Interit ndaj Genoas.


Sfida u zhbllokua nga Roberto Gagliardini, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të Asamoah në zonë dhe e devijoi saktësisht drejt rrjetës. Momenti vendimtar i ndeshjes ishte në minutën e 39’, kur Romero ndali me faull Icardin brenda zonës dhe gjyqtari akordoi 11-metërsh dhe karton të kuq për mbrojtësin e Genoas.

Penalltinë e mori përsipër vetë ish kapiteni i Interit, që përpos vërshëllimave të të gjithë tifozëve të pranishëm, ruajti qetësinë dhe goditi saktë, duke dyfishuar avantazhin. Vlen të theksohet se festës së golit të Icardit iu bashkuan të gjithë futbollistët zikaltër, të cilët përqafuan dhe inkurajuan ish kapitenin e tyre.

Në pjesën e dytë Icardi asistoi golin e tretë, që u shënua nga Perisiç, ndërsa 10 minuta nga fundi, Spalletti e thirri në stol, për të hedhur në fushë sulmuesin senegalez Keita Balde. Por llogaritë me Genoan nuk ishin mbyllur ende, pasi Roberto Gagliardini shënoi edhe golin e dytë personal dhe çoi shifrat në 0-4.

Mesfushori duket se e ka personale me Genoan, pasi ashtu si në fazën e parë, edhe sot i shënoi dy herë, duke treguar se kuqeblutë janë “gjahu” i tij i preferuar. Nga ana tjetër, zikaltrit hodhën një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin për një vend në Champions, pasi kanë filluar të konsolidojnë pozitat në vendin e tretë.

Për të tretën javë me radhë, Roma dështon të fitojë, teksa këtë mbrëmje nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 përballë Fiorentinës, përballë publikut verdhekuq në stadiumin “Olimpico”.

Të besuarit e Claudio Ranierit e panë veten dy herë në disavantazh, pas golave të Pezzellas dhe ish-it Gerson, por në të dy rastet barazuan fillimisht me Zaniolon dhe më pas me anë të Perottit.

Ky rezultat është mjaft pozitiv për skuadrën vjollcë, por një dështim për Romën, që nuk shfrytëzoi hapin fals të Milanit në garën për një vend në Champions dhe tashëm e sheh veten momentalisht në vendin e tetë të renditjes.

Hap fals regjistroi edhe skuadra tjetër e kryeqytetit, Lazio, e cila pasi fitoi ndaj Interit në Milano javën e kaluar, sonte humbi 1-0 në transfertën nda Spalit, sfidë që u vendos nga një gol i shënuar nga Petagna me penallti.

Në sfidat e tjera të mbrëmjes, Torino mposhti Sampdorian me rezultatin 2-1, ndërsa Frosinone mposhti Parmën me rezultatin 3-2, pas një penalltie të fituar në minutën e 99′.

Erjon Halili

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA