Studim mbi fenomenin bazuar kryesisht në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Autor Dr. Ermir Hoxha

Realizmi socialist shqiptar, një art figurativ realist, i orientuar politikisht dhe ideologjikisht mbetet një nga periudhat më shenjuese të artit shqiptar, gjatë shek. të 20-të. I shtrirë masivisht në 4 dekada për mirë a për keq, ai mbetet po ashtu periudha më pjellore e artit vendas, i materializuar në mijra ekzemplarë kompozimesh masive, tablosh, monumentesh gjigande, skulpturash heroike, grafikash, pllakatesh, vizatimesh e deri tek pullat e postës. Ky superprodhim artistik, ishte pjesë e platformës shtetërore për një art të orientuar drejt masave nëpërmjet sasisë dhe cilësisë në shërbim të kauzës së materializimit të ideologjisë së revolucionit proletar.

Për periudhën është shkruar jo pak, por ende jo në mënyrë shteruese. Një studim ka mbërritur për të kuptuar më mirë një nga periudhat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Studimi është kryer nga dr. Ermir Hoxha, pedagog në Fakultetin e Arteve në Tiranë. Ky është një botim ndryshe nga të tjerët, thotë E. Hoxha për Vitrinën e Librit, i cili është ndarë në disa etapa të strukturuara sa i përket kohës për të cilën po flasim. Piktorët e ardhur nga shkollat akademike, thekson ai, iu bashkuan skulptorëve të parë Paskali, Paco, Cani, Koljaka dhe Mana dhe si fillimtarë hapën liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Më pas më të talentuarit e viteve ’50- ’60, shteti komunist i mbështeti plotësisht studimet e tyre në institutet e larta të artit në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet ish- socialiste të Europës Lindore. Studentët shqiptarë të kthyer pas studimeve ose prishjes së marrëdhënieve me BS janë skulptorët dhe piktorët profesionistë të cilët aplikuan dijet dhe vullnetin e tyre, për të qenë artistët dhe pedagogët nismëtarë të ILA-së në atdhe, i cili u ndërtua nën parimet bazë të Realizmit Socialist. Studiuesi i ri shpjegon më tej se, këta artistë krijuan dhe brezin e tretë të piktorëve dhe skulptorëve. “Inxhinierët e shpirtrave”, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kineastët e artistët e cilitdo formati, u ngarkuan me detyrën e transformimit ideologjik dhe “ushqimin shpirtëror të masave”. Ata duhet të krijonin për shtetin me formën dhe mjetet që ai i gjykonte si më të përshtatshmet; ndërsa i gjithë ky transformim ideologjik në formë realiste, teksa i drejtohej proletariatit duhej ta ndërtonte veten mbi formë dhe e tema të përcaktuara. Në artin pamor e gjitha kjo deshifrohej lehtësisht në tema si: Portreti i Udhëheqësit, Njeriu i Ri, Tabloja Historike, Jeta Socialiste apo Peisazhi Industrial.

Më tej, dr. Hoxha nënvizon se vitet ’60 ishin vitet e skulpturës monumentale, e cila si protagoniste absolute, propozohet nga kërkesa specifike e strukturave të regjimit për të shpërhapur kudo imazhet e ideologjisë së re. Në sheshe qytetesh, uzinash, fabrikash, shkollash por dhe në parqe ato u “mbollën” kudo dhe pse kërkonin një investim serioz për ekonominë vendase. Në linjë hierarkike patën dhe gjini të tjera si pllakati, grafika, qeramika, karikatura dhe fotografia. Periudha pasuese 1969-1973, është një “fllad i cuditshëm” freskie. Në këtë periudhë vendi po përjetonte një lloj liberalizmi në shoqërinë shqiptare.

Në artin pamor zhvillimet qenë domethënëse. Pas kësaj periudhe “triumfi” erdhi i përpiktë zëri shtetëror, sanksionuar në Plenumin e IV (1973). Shumë artistë u etiketuan si armiq të vijës së drejtë të marksizëm- leninizmit. Të shoqëruar më pas me burgime dhe internime ato goditën cdo shqisë krijuese për një art tjetër. E pas pranverës së shkurtër pasoi e pashmangshme periudha e konsolidimit të mesazhit, metodës, stilit dhe standarteve në punë të të gjitha gjinive. E përshkruar dhe si periudha më gjakatare, ajo ishte dëshmitare e heshtur e eleminimeve të shumta brenda llojit. Periudha e parafundme e regjimit totalitar ishte ajo e superprodhimit intelektual, kërkuar si domosdoshmëri për të kaluar sadopak shokun nga eleminimet në radhët e partisë. Pas vdekjes së diktatorit (1985) Realizmi Socialist Shqiptar ishte në prag mbyllje. Në këtë klimë një vit para vdekjes së diktatorit, në Kongresin e III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, u rishqyrtuan problemet e sistemit artistik në Shqipëri.

Kish ardhur koha për një clirim nga ngurtësimi i skemave në klimën artistike të vendit. Fakt për këtë është kuptimi vendas i modernitetit që përkufizohej tek ngjyrat e thyerjet kubiste apo ato ekspresioniste. Si përfundim ai u vetëpërkufizua si një produkt kalimtar, një urë e përkohshme drejt një krijmtarie më në fund të cliruar totalisht nga presioni politik shtetëror.

Dr. Ermir Hoxha e mbyll bashkëbisedimin e tij në Vitrinën e Librit, duke shtuar se Arti i Realizmit Socialist, zhvilluar në Shqipërinë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë në një vështrim të parë ishte një art euforik, optimist e i bukur. Si i tillë ai predikonte një Botë të Re që ngrihej mbi gërmadhat e asaj të vjetrës, pa shfrytëzues dhe të shfrytëzuar. Realizmi Socialist mbetet dëshmia materiale e një ëndrre të pamaterializuar dhe vizioni artistik i një bote tjetër ardhja e së cilës, është ende thuajse e pamundur.

Top Channel