Spanja dhe Italia nuk gabuan në ndeshjet e tyre të para të kualifikueseve për “Euro 2020”. Iberikët e drejtuar nga Luis Enrique mundën Norvegjinë me rezultatin 2-1.

Rodrigo kaloi në avantazh “La Roja”-n pas një pasimi të Jordi Albës, por në pjesën e dytë Norvegjia barazoi me King, pas ekzekutimit të saktë të një 11-metërshi. Pak çaste më vonë u akordua një tjetër penallti, këtë radhë për Spanjën, të cilën Sergio Ramos e ekzekutoi me sukses nën stilin “Panenka”.

Italia nga ana e saj mundi Finlandën me rezultatin 2-0. Ishin futbollistët debutues ata që nderuan Roberto Mancinin në këtë ndeshje. Barella ishte ai që zhbllokoi rezultatin për “të kaltrit” në pjesën e parë, ndërkohë që llogaritë e sfidës i mbylli Kean, 16 minuta nga fundi i ndeshjes.

Më herët, edhe Zvicra e nisi mjaft mirë aventurën e saj në kualifikueset e “Euro 2020”. Skuadra e drejtuar nga Petkoviç mundi Gjeorgjinë në Tbilisi 2-0.

Fitore shënoi edhe Suedia, që mposhti Rumaninë me rezultatin 2-1. Quaison i dha avantazhin skuadrës nordike, që kishte më shumë shtysë gjatë pjesës së parë, ndërkohë që Claesson dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë, Keseru shkurtoi diferencën për Rumaninë, duke i dhënë shpresa skuadrës ballkanase, por në fund rezultati mbeti i pandryshuar, e Suedia mori 3 pikët e para.

Top Channel