Itinerari i autorëve të plagosjes së 50-vjeçarit në Sarandë, u larguan dhe humbën gjurmët/ Policia nis kërkimet, i plagosuri transportohet drejt Janinës

17/07/2026 22:59

Policia e Sarandës është vënë në kërkim të atentatorëve të Thimjo Rubatit, i cili mbeti i plagosur pranë biznesit të tij.

Pasi kanë qëlluar 50-vjeçarin, autorët kanë lëvizur me motor nga rruga “Mitat Hoxha” drejt zonës së varrezave të qytetit, në lagjen e quajtur “Baba Rexhepi” ku dhe kanë humbur gjurmët.

Lagja ku kanë humbur gjurmët është lagje periferike dhe më pas nis një zonë bregdetare e thepisur. Pritet që kontrollet të nisin edhe nga deti.

Ndërkohë, për shkak të gjendjes së rënduar, 50-vjeçari Thimjo Rubati do të niset për mjekim të specializuar drejt Janinës.

Ai rezulton se ka dalë vitet e fundit nga burgu në Greqi, ku është akuzuar për një ngjarje të rëndë penale.

Gjatë kohës që ishte në burg në Greqi, ai kërkohej në Shqipëri për një dosje ku ishin të përfshirë edhe doganierë, në një skemë të trafikimit dhe kontrabandës së makinave.

Rubati u dënua nga Gjykata e Apelit me kusht, çka e shpëtoi nga burgu. Pas daljes nga burgu në Greqi, ai nuk kreu asnjë ditë burg në Shqipëri.

Top Channel