‘Nuk më mungon të jem trajner’/ Guardiola nxjerr veten jashtë gare për pankinën e Italisë, Pirlo në pole position, e ndjek Mancini

17/07/2026 20:49

Pep Guardiola e nxjerr vetë veten jashtë një gare të mundshme për pankinën e Italisë dhe këtë e bën në një mënyrë natyrale dhe tani katalanasi nga ëndërr shndërrohet në mirazh për Federatën Italiane të Futbollit.

‘Në aspektin mental nuk më mungon asgjë-tha 55 vjeçari në intervistën më të fundit duke iu referuar ritmit të jetës si trajner-vendosa të ndalem dhe të kujdesem pak më shumë për veten time. Dua të shoh më shumë fëmijët e mi, babai im është 95 vjeç dhe është akoma këtu. Unë nuk jam më i ri dhe perspektiva ndryshon pak’

Me fjalë të tjera, Guardiola ka një dëshirë për t’u shkëputur dhe të mos kthehet në pankinë për pak kohë.

‘E dua punën time, por ka një moment kur e ndjen se duhet të bësh një pauzë. Ndoshta do të kthehem si trajner, por këtë duhet ta ndjej, duhet të ndjej se më mungon dhe se kam nevojë për të. Por në këtë moment nuk e ndjej-shtoi Guardiola.

Në këtë pikë te Italia hidhen sytë nga objektivë më konkretë me Andrea Pirlon dhe Roberto Mancinin në krye. Duket se po krijohet një lloj balotazhi mes tyre me ‘Maestron’ që është dukshëm në pole position. Kjo sepse Pirlo është profili i identifikuar nga Drejtori Teknik, Paolo Maldini dhe këshilltari Leonardo. Një vlerësim futbollistik dhe njerëzor që nis nga larg, nga kohët kur ai ndante fushën e lojës me mbrojtësin dhe nga Maldinit për ta sjellë në pankinën e Milanit kur ishin të dy drejtues të klubit kuqezi

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò zgjodhi Maldinin dhe Leonardo me vullnetin për të gjetur dakordësinë totale për emrin e trajnerit të kombëtares italiane. Kreu i FIGC tentoi të mbështese kauzën e Roberto Mancinit me të cilin e lidh një miqësi e gjatë, por në anën tjetër gjeti vullnetin për të këmbëngulur për Pirlon.

Trajneri i United FC të Dubait për momentin është në Letoni i grumbulluar me skuadrën me stërvitje dhe ndeshje miqësore. Por është e qartë se mjafton një takim, qoftë edhe një videotelefonatë, për të mbyllur marrëveshjen dhe përshpejtuar praktikat që do ta rikthenin atë në Coverciano, këtë radhë në rolin e trajnerit.

Top Channel