Tirana do të ketë një zonë të lirë ekonomike, e cila do të menaxhohet nga bashkia e Tiranës.

“Po përgatitemi të prlikojmë pranë qeverisë qendrore, që një zonë në Kashar, rreth 50 hektarë, të shpallet si zonë e lirë ekonomike. Do të thotë se mund të jetë një vend ku shumë prej jush që punoni me produkte bujqësore, do të jetë një vend ideal prodhimi. Duam që të ketë statusin e zonës së lirë ekonomike, siç është përcaktuar nga ligjet shqiptare. Disa histori të ngjashme mund t’i keni parë në Maqedoni apo Rumani, ndaj duam që Tirana të jetë i pari ent publik që menaxhon vetë një zonë të lirë ekonomike”, tha Veliaj.

Teksa vizitoi panairin dhe forumin e agro-biznesit dhe agroteknikes kryetari i bashkisë u shpreh edhe për një treg të dytë me shumicë të prodhimeve bujqësore, i cili do të jetë në Lundër.

“Me ministrin Çuçi jemi gati për të identifikuar një tjetër hapësirë për një treg të madh agro-ushqimor publik, duke qenë se edhe komisionari i konkurrencës, por edhe qytetarët shprehin një pakënaqësi, por edhe ata që janë prodhues shprehin një pakënaqësi me faktin që Tirana ka vetëm një monopol të një tregu agro-ushqimor privat. Hapja e një tregu të dytë, së pari do ta bënte të gjithë këtë treg me dy konkurrues dhe sigurisht konkurrenca do të sillte çmime më të ulëta për ata që aksesojnë tregun”, tha kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se ky treg do të shërbejë për herë të parë në Shqipëri si një hapësirë ku tregtarët me shumicë do të bëjnë porosi në avancë për produkte të caktuara te fermerët edhe duke i financuar ata.

Top Channel