Kategoria Superiore do të vijë sot me dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të. Kështu në orën 14:00 Kukësi do të përballet me Kamzën, në sfidën që është vendosur të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Armando Cungu u konfirmua nga Gjici në detyrë, edhe pas dy humbjeve radhazi, por tashmë tekniku shkodran duhet të udhëheqë skuadrën te triumfi.
Kukësi ndodhet aktualisht 11 pikë pas Partizanit në renditje dhe duhet të reduktojë këtë diferencë në 8 pikë, duke shpresuar më pas te derbi i kryeqytetit javën e ardhshme, për t’i shkuar sa më pranë kreut.
Përballë do të jetë Kamza, skuadër e vendit të fundit, që po zhvillon një sezon vërtetë të komplikuar, por që në fillim të javës i ka besuar pankinën Gentian Stojkut, me shpresën se ky i fundit do të udhëheqë ekipin drejt mbijetesës.
Një tjetër sfidë e rëndësishme do të luhet edhe në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku Kastrioti do të përballet me Laçin, me synimin për t’i dhënë vijimësi rezultateve të mira.
Top Channel