Ura e Tapizës në Krujë mund të jetë sot për sot ura me rrezikshmërinë më të lartë. E ngritur mbi lumin Tërkuzë, ajo përballon pjesën më të madhe të trafikut në vend, duke lidhur rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë.

Në raportin e ARRSH-së, të një viti më parë, ku flitej për dhjetëra ura që kërkojnë ndërhyrje emergjente në vend, vëzhgim që “Fiks Fare” e solli mbrëmjen e së martës, listën e kryesonte ura e Tapizës. Ajo është ndërtuar nga vitet ’70 dhe ka mbajtur peshën e lëvizjes për të gjithë zonën e veriut. “Fiks Fare” tregoi se kjo urë rrezikon të shembet, duke çuar në një tragjedi.

Prej më shumë se dy dekadash, në të dy anët e urës hidhen mbetje të ndryshme nga banorët e zonës, por edhe nga të tjerë jashtë saj, të cilët shkarkojnë materiale inerte. Kjo ka sjellë ngushtimin e shtratit të lumit dhe daljen e këmbëve të urës në sipërfaqe.

Në fillimin e viteve ’90, shtrati i lumit Tërkuz kishte një gjerësi 180 metra, por me kalimin e viteve, hedhja e inerteve e ka ngushtuar atë deri në 40 metra. Në mes të gjatësisë së urës është krijuar një e çarë e madhe, për shkak të trarëve betonar, të cilët në kalimin e automjeteve me tonazh të rëndë lëkunden në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, duke krijuar çarje të strukturës sipërfaqësore.

Në urë nuk ka asnjë sinjalistikë, përveç një tabele të vënë në hyrje-dalje nga ARRSH, ku automjetet duhet të mbajnë një distancë 118 metra nga njëra-tjetra. Tabela është vendosur në hyrje të urës dhe sipas Policisë Rrugore, ajo duhet të vendoset të paktën 100-200 metra larg urës.

Pas konstatimit të bërë nga “Fiks Fare”, se distanca nuk respektohej nga automjetet, “Fiksi” pyeti në ARRSH dhe kjo e fundit iu përgjigj se ura është e rrezikshme dhe i takon Policisë së Shtetit të marrë masa për drejtuesit e mjeteve, të cilën nuk respektojnë tabelat.

Kështu që gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan me një patrullë të Policisë Rrugore. Oficeri u shpjegon gazetarëve se tabela e vendosur nga ana e ARRSH-së nuk është në vendin e duhur dhe nuk u jep kohë drejtuesve të mjeteve ta lexojnë. Përveç largësisë, këtu i shtohet edhe vogëlsia e shkronjave të tabelës, e cila nuk lexohet qartë në distanca të caktuara, duke mos luajtur rolin e saj paralajmërues.

Për kalimin autokolonë të mjeteve të tonazhit të rendë në këtë urë, punonjësi i policisë pohoi se është kundërvajtje dhe në Kodin Rrugor parashikohet masa e gjobës nga 1.000 deri në 3.000 lekë.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA