Ministrja e Arsimit priti në takim mëngjesin e të premtes një përfaqësi pedagogësh, të cilët kishin lënë si afat për plotësimin e kërkesave 1 shkurtin, në të kundërt do të hynin në grevë. Pas 2 orëve diskutim, pedagogët nuk kanë marrë zgjidhje.
“Ne qamë hallet, u shprehëm te ministrja në mënyrë shumë të diversifikuar sepse të 6 ne pedagogët kishim mendime të ndryshme mbi problematikat e kjo tregon sa process të shëndetshëm arsimor kemi ndjekur deri në këtë pikë. 0 reagim për asnjë nga pikat, qoftë për studentët, qoftë për VKM-të, qoftë për ligjin”, tha Rezart Prifti, pedagog.
Mesnata do të jetë koha e lënë në dispozicion të ministres, në të kundërt pedagogët do të vënë në zbatim paralajmërimin për grevë.
“Ministrja u përpoq të na mbushte mendjen se sa i mirë ishte pakti i qeverisë për arsimin. Do presim normalisht deri në darkë se ndoshta ministrja bëhet më konkrete në përgjigjen e saj në të kundërt nëse s’do ketë qëndrim do e konsiderojmë si refuzim të kërkesave tona dhe do I drejtohemi trupës akademike për një grevë të përgjithshme të pedagogëve”, u shpreh Mark Marku.
Adresa e zgjidhjes së problematikave që pedagogët kanë ngritur, sipas ministres së arsimit nuk është gjithmonë në duart e saj por të vetë universitetit. Megjithatë ministrja Shahini ndan bindjen se qëllimin e kanë të përbashkët, përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.
“Ata më dëgjuan mua, unë i dëgjova ata. Edhe pse nuk u dakordësuam në fund unë mendoj se kjo është krejt normale. Nuk besoj se bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme në këtë periudhë, kur e gjithë vemendja jonë është tek arsimi i lartë”, tha Besa Shahini – ministre e Arsimit.
Top Channel