Shqipëria renditet e 99-a në klasifikimin e “Transparency International” mbi shkallën e korrupsionit në botë, duke shënuar një përkeqësim të situatës në krahasim me një vit më parë, kur renditej e 91-ta.

Në raport përfshihen 180 vende të botës, duke përdorur një shkallë nga zero deri në 100 pikë, ku zeroja tregon një vend shumë të korruptuar, dhe Shqipëria ka 36 pikë.

“Duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipëria është përmirësuar gjatë 5 viteve të fundit me 5 pikë, duke lëvizur nga 31 që kishte në vitin 2013, në 36 në vitin 2018. Megjithatë, ajo ka shënuar rënie me dy pikë në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik, që bllokoi disa reforma antikorrupsion të ecin përpara”, thuhet në raport.

Kosova radhitet e 93-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 85-të. Me 37 pikë, ajo ka dy më pak sesa një vit më parë.

Bosnje-Hercegovina ishte një vit më parë në vendin e 91-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 89, ndërsa Mali i Zi ka rënë nga vendin e 64-t në vendin e 67; Serbia ka rënë nga vendi i 77 në vendin e 87; Maqedonia, e cila vitin e kaluar ishte në vendin e 107, sivjet radhitet e 93-ta, njësoj me Kosovën.

Në vlerësimin e organizatës thuhet se, Europa Lindore dhe Azia Qendrore janë rajonet e dyta për radhitjen më të keqe, pas Afrikës Nënsahariane.

Danimarka me 88 pikë dhe Zelanda e Re me 87 janë të parat në raport, me më pak korrupsion, ndërsa të fundit radhiten Somalia me 10 pikë dhe Sudani Jugor e Siria me nga 13 pikë. Rajoni me gjendjen më të mirë është Europa Perëndimore, me një mesatare prej 66 pikësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA