Bota shënon sot ditën ndërkombëtare të Holokaustit, duke kujtuar 6 milionë hebrenj dhe viktima të regjimit nazist nga minoritete të tjera etnike.
Përpjekjet sistematike të Hitlerit për shfarosjen e tyre, zhdukën gati dy të tretat e hebrenjve në Europë, 1,5 milionë e të cilëve llogaritet të kenë qenë fëmijë.
Gjenocidi, i njohur nga hebrenjtë si Shoah, mbetet një prej plagëve më të mëdha të historisë së njerëzimit. Për të kujtuar viktimat e tij dhe tmerret që mund të pësojë një popull, Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau, në vitin 1945.
Një rol të shënuar në shpëtimin e hebrenjve e patën edhe shqiptarët, të cilët strehuan pavarësisht rrezikut të madh që u kanosej nga ky veprim, mjaft hebrenj të larguar nga vende të tjera apo që jetonin në Shqipëri e Kosovë.
Muzeu i Jad Vashemit në Jeruzalem e ka vërtetuar historikisht se Shqipëria u bë strehë e përkohshme e atyre që kishin arritur të arratiseshin dhe i vetmi vend europian, i cili numëronte në trojet e veta në 1945-ën dhjetëfishin e hebrenjve, krahasuar me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939.
Në këtë ditë, nën kujdesin e presidentit Ilir Meta, u zhvillua ceremonia e shpalljes së vendit tonë “shtëpi e jetës”, nga fondacioni ndërkombëtar “Raoul Wallenberg”, që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.
Top Channel