Partia Demokratike publikoi dokumentet zyrtare të Autoritetit të Dosjeve, ku prokurori i Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, kandidati i vetëm në dorën e të cilit kishte mbetur ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, figuron të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit që në shkollë të mesme.

“Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë”, tha deputeti demokrat Strazimiri.

Por, Bujar Sheshi e ka kaluar sitën e “vetting”-ut pa asnjë pengesë, duke u bërë pjesë e organeve të reja të drejtësisë.

“Arta Marku e kualifikoi atë në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vet ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll. Ajo nuk ka pritur përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve, por e ka çuar aplikimin e paplotë pranë organeve të vettingut”, tha më tej Strazimiri.

Demokrati Strazimiri thotë se, e shkuara e Sheshit u bë publike me urdhër të kryeministrit Rama dhe kryeprokurores Marku, për një arsye.

“Shkresa e Autoritetit të Dosjeve mban datën 22 janar, pra një ditë pasi KLP-ja votoi për të kthyer në detyrë dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela, të shkarkuar në shkelje të ligjit nga Arta Marku. Votimi ka rezultuar 6 me 5 në favor të prokurorëve të shkarkuar, e vota e Bujar Sheshit ka bërë ndryshimin. Prandaj, Arta Marku po qarkullon sot dokumentet kundër Bujar Sheshit, si hakmarrje për mosbindje ndaj urdhrit të partisë dhe shokut Edver”, u shpreh Strazimiri.

Referuar dokumenteve, Bujar Sheshi rezulton në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit se ka punuar hetues në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit në vitin 1979, ndërsa pseudonimi i tij ishte “Venusi”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA