Në vijim të investigimit mbi lëshimin e më shumë se një AMTP-je për të njëjtën sipërfaqe në zonën e Ishmit, Durrës, mbrëmjen e kësaj të mërkure “Fiks Fare” trajtoi një tjetër rast.

Albert Doda, nga fshati Draç i Ishmit, ankohet për mosregjistrimin nga Hipoteka e Durrësit të një sipërfaqeje prej rreth 13.223 m2, që sipas tij e zotëron me dokumentacion të plotë e të ligjshëm.

Këtë pasuri e ka fituar me ligjin 7501. Aktin e marrjes së tokës në pronësi e ka marrë i ati, Ramazani, që në vitin 1992, por deri në vitin 2010 nuk kanë vajtur për ta regjistruar. Në momentin që kanë kërkuar të regjistrojnë pronën, ata kanë hasur në vështirësi, pasi nga Hipoteka i është thënë se për këtë pronë kanë sjellë dokumentacion nga e njëjta komunë edhe dy persona të tjerë.

Gjatë takimit që denoncuesi bën me specialistin e Hipotekës së Durrësit, ai i shprehet se për këtë pronë duhet të përgjigjet dhe të vendosë tjetërkush, pasi tanimë çështja i ka kaluar Prokurorisë. Për këtë, as komisioni nuk mund të shprehet, sepse komisioni në datën 2 shkurt i bashkëngjitet Hipotekës.

Pas takimit me specialistin, denoncuesi takon edhe drejtorin e Hipotekës, i cili pasi e pret, duket të mos e njoh fare rastin e zotërisë dhe gjatë të gjithë kohës pret miratimin e specialistëve për të reaguar. Ai e kalon rastin duke i thënë se kjo çështje i ka kaluar Prokurorisë dhe është kjo e fundit që duhet të shprehet dhe të përfundojë hetimin.

Nga ana tjetër, denoncuesi i tregon se për këtë çështje ka bërë ankesë edhe pranë portalit të bashkëqeverisjes dhe nga përgjigjja që i është kthyer rezulton se, nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë Hipotekës së Durrësit, i janë dërguar 4 shkresa që nga viti 2015 deri në vitin 2018 për t’u shprehur lidhur me këtë pronë dhe kush janë pretendentët.

Por, asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje. Kjo është edhe arsyeja që denoncuesi iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, pasi asnjë institucion nuk po arrin t’i kthejë një përgjigje për regjistrimin e pronës, të cilën sipas tij e ka fituar me të drejtë.

Anëtarët e komisionit të ndarjes së tokës: Pronën ia kemi ndarë Ramazan Dodës, babait të Albertit!

“Fiksi” kontaktoi 3 anëtarët e Komisionit të Ndarjes së Tokës, të cilët kanë firmosur në AMTP në vitin 1992. Ata shprehen se, pavarësisht se ka kaluar shumë kohë, e mbajnë mend shumë mirë që kjo pronë i është ndarë nga komisioni i ish-komunës Ishëm, Ramazan Dodës.

Nëse kjo pronë, sipas tyre, i është dhënë dikujt tjetër, atëherë kjo është vjedhje që është bërë nga ana e komunës që ka lëshuar AMPT-të e tjera. Prokuroria duhet të hetojë patjetër. “Për këto toka buzë detit bëhet e gjithë lufta”, përfundon një nga ish-anëtarët e Komisionit të Ndarjes së Tokave.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA