Nën yje, ‒ përsëriti ajo. ‒ Kurrë nuk i kam vërejtur yjet më parë. Gjithmonë i kam përfytyruar si diamante shumë të mëdhenj që i takonin dikujt. Tani më frikësojnë tek i shoh. Më bëjnë të më duket se ishte e gjitha një ëndërr, e gjithë rinia ime…

Eshtë Kismina, personazhi i tregimit “Një mal diamanti”, në përmbledhjen me tregime me të njëjtin titull, ardhur në shqip nën përkthimin e Ylli Pangos (botimet Albas), e cila zgjedh ti besojë iluzioneve dhe pse e di se është nën një dehje gati hyjnore, e cila do të zgjasë ndoshta shumë pak. Po ç’rëndësi ka, ajo kërkon të shohë diamantet e mëdhenj, e të dashurohet qoftë për ca kohë. Të shkruara gati një shekull më parë tregimet e Scott Fitzgerald një prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë amerikane, vijojnë të tronditin me lehtësinë me të cilën kërkojnë të komunikojnë. Në një kohë kur duket sikur letërsia po i largohet gjithnjë e më shumë laborimit të qenies njerëzore, leximi i Fitzgerald është si një zgjim i shijes së letërsisë së vërtetë. Ashtu si tek “Gebsi i madh” apo “Kjo anë e parajsë”, “E magjishme është nata”, libra të tjerë të tij që mund të lexohen në shqip, ai arrin të të magjepsë më një botë sa surreale aq edhe të magjishme, e në fund të të zgjojë, me një tronditje që nuk kalon lehtë. Historitë që ai tregon mund të duken “seksi”, të shfrenuara si një mbrëmje e gjatë e mbushur me alkool. Por, kur muzika ndalet, ti arrin të shohësh më qartë. I tillë është tregimi “Bernisa pret flokët”. Personazhet e tij përfshihen nga një botë shpesh iluzive, por në fund ndjehen të shëruar. Fitzerald hyn tek ata shkrimtarë ku jeta dhe vepra nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjetra. Ai është si librat që shkroi. Shpesh i çuditshëm dhe kokëfortë, por aq i natyrshëm sa ç’janë vizatimet që thur pluhuri në krahët e një fluture. ”Scotti më ngjante me një djalosh me fytyrë mes të padukshmes dhe të bukurës. Kishte ca flokë të dallgëzuar, mjaft të verdhë, një ballë të lartë, një palë sy të gjallë e miqësorë dhe një gojë delikate me buzë të zgjatura, tipike prej irlandezi. Mjekrën e kishte të skalitur mirë veshët e rregullt dhe kishte një hundë elegante. Por të gjitha këto do të kishin mjaftuar për ta bërë një fytyrë të hijshme po qe se su shtoje çehren, flokët biondë, e atë gojën që të shqetësonte, pa e njohur ende Scottin, por të shqetësonte më shumë pasi e njihje…”, do të shkruante Hemingway pas takimit të parë me të në Paris. Në rrëfimet e tij mbi kohët e kaluar në Paris, rrëfimi për Fitzgerald është ndoshta më i ndjeri. Ai e quante atë të çuditshëm, po aq të çuditshme dhe gjërat që ndodhnin me të. Kishte letërsi dhe në mënyrën sesi ai jetonte, apo se si pinte shampanjë. E tillë ishte dhe marrëdhënia me të shoqen, poeten Zelda Fitzgerald. Një raport dashurie dhe trazimi për shkak të depresionit të saj të vazhdueshëm. Por Fitzgerald ishte gjithnjë pas saj dhe kur kumbimi i zërit të saj ia bënte të pamundur shkrimin. Me një jetë të shkurtër Fitzgerald arriti të ndërtonte panteonin e tij letrar. Kur ai vdiq në moshën 44 vjeçare në vitin 1940-të, pothuajse u harrua. Pesë vite më vonë, New Yorker do të botonte një përmbledhje të tregimeve të tij, të cilat do të fitonin menjëherë vëmendjen e kritikës dhe lexuesit. Prej atëherë Fitzgerald ekziston përmes librave që vijojnë të botohen në çdo gjuhë të botës, duke nxjerrë flakën që alkooli i tij ka lënë në to. Leximi i “Një mal diamanti” të kujton se “epoka xhaz” (ashtu siç u karakterizua koha e Fitzgerald), me gjithë dekadencën e shthurjen seksuale, vazhdon të intimidojë sot, një kohë që ka aq shumë nevojë për pak muzikë, që shpërndahet lehtë në dhomë teksa jeni duke lexuar Scott Fitzgerald.

Alda Bardhyli

Top Channel