Fiks Fare/ 20-fishohet çmimi i kontrollit të mjeteve benzinë-gaz; Ishte 6 mijë lekë në shtet, bëhet 200 mijë në privat!

09/01/2019 20:45

Prej pak muajsh, pronarët e makinave që kanë si lëndë djegëse gaz-benzinë dhe nuk e kanë në lejen e qarkullimit, po sorollaten për të bërë ndryshimet tashmë të detyrueshme.

Fiks Fare mësoi se më parë kontrolli fizik i impianteve të gazit bëhej pranë Drejtorive të Transportit Rrugor në çdo rreth. Por, para pak javësh, ky shërbim i ka kaluar privatit, me një udhëzim të Drejtorisë së Transportit Rrugor. Sipas punonjësve të DPSHTRR-së, shërbimi pranë pikave të shtetit bëhej kundrejt pagesës prej 6-7 mijë lekësh të vjetra. Ndërkohë, aktualisht ky shërbim kryhet pranë shoqërisë private Shpresa-Al, në Kamzë, kundrejt një pagese prej 130-200 mijë lekë!

Në redaksinë e Fiks Fare kanë mbërritur dhjetëra ankesa nga pronarë të mjeteve që kanë si lëndë djegëse benzinë-gaz. Ata pretendojnë se po sorollaten për të bërë ndryshimet përkatëse në lejen e qarkullimit dhe qw pagesat janë 10 apo 20 fishuar.

Kastriot Çipi thotë se ka një automjet me lëndë djegëse benzinë – gaz dhe që është sorollatur nga shteti dhe privati. “Në të gjithë botën, ata që përdorin makina me gaz (LPG) janë të favorizuar në taksa, sepse shkaktojnë më pak ndotje. Kam 10 vjet që përdor makinë me gaz. Kështu e bleva. Kështu kishte ardhur nga Italia. Para pak muajsh, ky shërbim është dhënë me koncesion. Por nëse e ke bërë instalimin përpara hyrjes në fuqi të këtij koncesioni, duhet të paguash 15 mijë lekë! Ndërkohë që unë kam 10 vjet që e përdor këtë makinë, pra edhe kaloj çdo vit kontrollin teknik dhe askush nuk më ka thënë deri sot se jam i detyruar ta shënoj në lejen e qarkullimit” thotë ai.

Fiks Fare shkoi të pyesë në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Tiranë, ku një punonjës thotë se ky shërbim (ndryshimi i lejes së qarkullimit) bëhet vetëm te kompania private. Sipas tij, në shtet bëhet me 6 mijë lekë të vjetra, ndërsa te privati me 180 mijë lekë. Dhe nëse e ke vënë impiantin, duhet të paguash 200 mijë lekë gjoba.

Fiksi pyeti edhe te pika e kontrollit fizik në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Tiranë, ku na konfirmojnë se, nëse nuk e ke deklaruar ke një gjobë prej 200 mijë lekësh. Një punonjës tenton që të flasë me një punonjës për ta mbyllur me “një kafe”. Në fund i thotë nëse ke njeri te privati, jepi kafe dhe mbaron punë. Pas kësaj problematike, Fiksi pyeti edhe te firma që ka fituar licencën në ministri. Sipas punonjësit, nëse e ke vendosur impiantin, duhet të shkosh te një pikë e licencuar, të bësh letrat dhe të shkosh te kjo firmë vetëm për miratim. Pra, në të gjithë këtë rrugëtim, firma private që ka marrë licencën nga DPSHTRR bën vetëm miratimin e impiantit dhe për këtë duhet të paguash nga 130 deri në 200 mijë lekë, krahas kostos së vendosjes së impiantit.

Për të gjithë këtë problematikë, Fiks Fare iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila tha se në qarkullim, me dokumente, janë 28.411 mjete me lëndë djegëse Benzin+Gaz. Më parë, fatura e shërbimit për ndryshimin e lejes së qarkullimit ishte 700 lekë të reja, ndërsa aktualisht ky shërbim nuk kryhet në shtet, por në privat. Sipas saj, Shoqëria “Shpresa Al”, është pajisur me një licencë të lëshuar në korrik 2018. Pyetjes se kush i vendos çmimet, ministria na ktheu përgjigje se “duke qenë se ky është shërbim tashmë i liberalizuar edhe përcaktimi i çmimit të shërbimeve që ofrohen në një treg është sipas çmimit të tregut”. Më tej shton se ushtrimi i këtij aktiviteti nga operatorë të tjerë, do të bëjë të mundur rritjen e konkurrencës.

Fiksi pyeti ministrinë nëse një automjet ka vendosur impiant gazi dhe nuk e ka të shënuar në lejen e qarkullimit, a ndalohet nga policia dhe a merr penalitet? Ministria tha se “policia dhe kompania që kryen kontrollin teknik të mjetit nuk kanë të drejtë të vendosin penalitet”. Por, sipas saj, “është detyrë e shoqërisë koncesionare të raportoje nëse të dhënat e mjetit gjatë kontrollit teknik nuk përputhen me të dhënat e regjistruara në lejen e qarkullimit të mjetit, dhe nuk mund të kryeje kontrollin teknik të mjetit nëse vërehet një rast i tillë”.

Pra, nëse ke një makinë me impiant gazi, këtë duhet ta pasqyrosh edhe ne lejen e qarkullimit. Policia, sipas ministrisë nuk të penalizon me gjobë, por nga ana tjetër, nuk kryen dot kontrollin teknik vjetor pa kaluar nga kompania private e autorizuar nga Ministria e Energjetikës.

Bisedë me një punonjës të DPSHTRR-së

Fiksi – Nëse unë duhet ta bëj me impiant gazi, është me benzinë, duhet të ndryshojë leja e qarkullimit?
Punonjësi – Leja po. Shkruhet benzinë-gas.
Fiksi – Duhet të bëj ndonjë …
Punonjësi – Kërkesë, vetëm të Shpresa-al.
Fiksi – Vetëm te kjo?
Punonjësi – Ata e bëjnë. Ata të japin ato, të bësh ndryshimin. E kupton.
Fiksi – Është tip kolaudimi ajo?
Punonjësi – Kontroll, nejse kontroll fizik quhet ajo. Nëse e ke hedh impiantin e gazit do kesh probleme, merr gjobë.
Fiksi – Nëse e kam hedhur më përpara?
Punonjësi – Nëse e ke hedhur, do bësh kërkesën te ata, ta verifikojnë ata nëse e ke impiantin e gazit, të japin ata të drejtën, një shënim që të vësh impiantin e gazit. Duhet ta vësh në firmë të licencuar.
Fiksi – Po nëse e kam vënë te një firmë e licencuar më përpara?
Punonjësi – E ke gjobën prapë se nuk vajte të merreshe vesh me ata.
Fiksi – Po ata ça kanë, ça është kjo?
Punonjësi – Është një firmë private, që e kishim ne këtu me 6 MIJË LEKË (të vjetra), me 6 MIJË LEKË ishte këtu në shtet, u ankuan njerëzit. E mirë. U dha me koncesion ai, paguaj 180 MIJË LEKË!
Fiksi – Po gjoba sa është, nëse e ke vendosur?
Punonjësi – 200 MIJË LEKË është gjoba.

Bisedë me një punonjës të kontrollit fizik të automjeteve
Fiksi – Ky kontrolli i impianteve të gazit ku bëhet?
Punonjësi – Për herë të parë e ke?
Fiksi – Po, për herë të parë.
Punonjësi – Do shkosh te Shpresa-al. Ku e ke mjetin?
Fiksi – Ku është Shpresa-al?
Punonjësi – Në Kamëz. Do marrësh letrat atje, do vish të bëzh fizikun këtu. Po të shkon te 200 e ca mijë lekëshi të shkon.
Fiksi – 200 e ca mijë lekë?
Punonjësi – Ëhë.
Fiksi – Ueee. Shumë ëëë?
Punonjësi – Megjithë kafe, sa të mbarosh punë
Fiksi – Po këtu sa ka qenë? Bëheshe këtu më përpara?
Punonjësi – Po këtu. Se ke vu impiantin?
Fiksi – Është me impiant.
Punonjësi – E ke vu impiantin?
Fiksi – Po.
Punonjësi – Do ta marrësh me gjobë. Duhet foto me impiant, foto pa impiant.
(Telefonon një punonjës të firmës private)
Punonjësi – Kam xhajën e një shoku o burrë, se më ka rënë në qafë, se ka vu atë impiantin, po është puna mos të marrë gjobë. A kupton? Me dhënë një kafe të vogël? A bohet? Merre me gjobë thotë.
Fiksi – Me gjobë ëë?
Punonjësi – Po.
Fiksi – E sa është gjoba? Ndonjë 10 mijë lekësh me siguri?
Punonjësi – Duhet foto me impiant, foto pa impiant. Nëse ke njeri atje, jepi kafe të kryen punë. Te 200 e ca mijë lekëshi të shkon, megjithë gjoba…

Bisedë me punonjësin e firmës private

Fiksi – Kam makinë që e ka bërë, e ka vëllai me thënë troç, për impiantin e gazit, e ka ndërruar, të gjitha. Certifikimi, bëhet këtu, s’bëhet këtu. Di gjë ku bëhet?
Punonjësi – E ka vendosur impiantin?
Fiksi – E ka vendosur impiantin.
Punonjësi – Do shkosh te një servis i licencuar, të ëj një kontroll impianti. Të të japë letrat, të shprehet me letra ai, faturë TVSH-je.
Fiksi – Po. Duhet t’i bëjë vetë ai?
Punonjësi – Po, te servisi që ka vendosur impiantin.
Fiksi – Po.
Punonjësi – Pasi merr letrat atje, duhet të vish këtu të marrësh miratimin.
Fiksi – Po këtë, sa shkon ta di?
Punonjësi – Miratimi?
Fiksi – Po.
Punonjësi – Ça viti është makina?
Fiksi – E 2002-shit.
Punonjësi – 134 mijë lekë.
Fiksi – Duhet ta marrë vërtetimin që e ka bërë atje?
Punonjësi – Po.
Fiksi – Vetëm si pikë, s’keni vend tjetër?
Punonjësi – Këtu, këtu. Vetëm këtu.
Fiksi – Kur paskeni filluar?
Punonjësi – Ka nja 4 muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA