Programuesi 34-vjeçar nga Fieri, Kadri Manaj, ka krijuar një sistem teknologjik që synon të lehtësojë punën e bletarëve dhe të kontribuojë në sigurinë ushqimore.

Këtë herë ai nuk ka krijuar vetëm një program, por edhe pajisje inteligjente që ndihmon bletërritësit në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Puna e bletërritësit tashmë mund të bëhet edhe duke qëndruar larg kosheres. Pajisja e krijuar nga Kadri Manaj vendoset brenda kosheres dhe mund të masë në kohë reale temperaturën, lagështinë dhe peshën e saj, duke i dhënë bletarit informacion të detajuar edhe për momentin kur vjen koha e vjeljes së mjaltit.

Kadri Manaj, inxhinier IT, shpjegon se sistemi funksionon përmes sensorëve të vendosur brenda kosheres, të cilët mbledhin të dhënat dhe i dërgojnë ato në një server ku përpunohen. Më pas, i gjithë informacioni i nevojshëm i shkon bletërritësit direkt në telefon.

“Kjo është pajisje e cila vendoset brenda kosheres dhe mund të masë në kohë reale temperaturën, lagështinë dhe peshën e kosheres në momentin që vjen koha për vjelje. Mund ta shikosh në kohë reale mjaltin që ka brenda kjo koshere. Ky është sensori që vendoset brenda në koshere. Të gjitha të dhënat merren nga çdo koshere, ruhen tek ky stacion dhe më pas dërgohen në server, ku procesohen”, shpjegon Manaj.

Kadriu tregon se ideja për krijimin e këtij programi nisi nga kërkesa e një miku të tij, i cili kishte një park bletësh dhe kërkonte një mënyrë më të lehtë për monitorimin e tyre. Sot, kjo teknologji është menduar të jetë në shërbim të të gjithë komunitetit të bletarëve.

“Nisi nga kërkesa e shokut tim Olti, i cili ka një park bletësh dhe kërkonte një mënyrë të lehtë monitorimi dhe ja sot e kemi për të gjithë”, shprehet inxhinieri IT.

Përveç grumbullimit të të dhënave, sistemi shërben edhe si një mekanizëm mbrojtës për kosheret. Programi njofton menjëherë bletarin në rast se dikush tenton të hapë kosheren apo nëse ajo sulmohet nga kafshë të ndryshme, si ariu.

“Nëse një njeri ose ari hap bletën, menjëherë ky program të lajmëron dhe ti e di që dikush të ka sulmuar”, thotë Kadri Manaj.

Megjithatë, numri i bletarëve që e kanë përdorur deri tani këtë teknologji mbetet i kufizuar, kryesisht për shkak të kostove të pajisjeve. Një sensor për një koshere kushton 45 euro, ndërsa stacioni kryesor arrin në 200 euro.

“Një pajisje e tillë kushton 45 euro dhe duhet në çdo koshere, ndërsa stacioni është 200 euro, kështu që këto kosto janë të larta për bletarët”, shpjegon ai.

Kadri Manaj nuk është i ri në fushën e krijimtarisë teknologjike. Gjashtë vite më parë, pasioni për të vjetrën e shtyu të krijonte makinën retro me emrin “Lotus”. Që prej asaj kohe, rrugëtimi i tij në botën e shpikjeve vijon me të njëjtin pasion për inovacionin dhe teknologjinë.

Top Channel