Shtohen turistët në Gramsh/ Liqeni i Banjës, kulinaria dhe rruga e re kanë ndryshuar gjithçka

19/07/2026 12:29

Me destinacione të shumta natyrore dhe peizazhe që të lënë pa frymë, Gramshi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Mes vizitorëve të huaj është edhe një turist nga Barcelona e Spanjës, i cili ka zgjedhur Shqipërinë për pushimet e tij të para. Ai tregon se është mahnitur nga bukuritë natyrore, mikpritja dhe ushqimi tradicional shqiptar.

Turisti spanjoll: “Jam nga Barcelona, Spanjë. Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam mbërritur para dy ditësh dhe më pëlqen shumë. Është një vend shumë i bukur, me njerëz miqësorë. Ushqimi është shumë i mirë, sidomos mishi. Pamjet janë impresionuese dhe vërtet mahnitëse.”

Sipas bizneseve lokale, pas krijimit të liqenit të Banjës dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore, numri i turistëve që vizitojnë Gramshin ka ardhur duke u rritur. Përveç bukurive natyrore, një tjetër element që po tërheq vizitorët është edhe kulinaria tradicionale e zonës.

Rritja e turizmit ka sjellë edhe zhvillim ekonomik për komunitetin vendas. Dhjetëra restorante të reja janë hapur, ndërsa kërkesa në rritje për produkte bio ka krijuar mundësi të reja për fermerët e zonës, të cilët po furnizojnë bizneset me prodhime lokale.

Përveç destinacioneve natyrore, tashmë edhe kodrat me livando janë kthyer në një tjetër atraksion turistik, duke shtuar një element të ri në panoramën e Gramshit dhe duke tërhequr më shumë vizitorë.

Top Channel