Ditët e para të janarit e kanë gjetur ndryshe zonën e Saukut. Bashkia e Tiranës e ka transformuar atë, duke e konsideruar vitin 2019 si vitin e zonave rurale.

“Është zona e Saukut të vjetër, rruga e “Osmëve”, ku ka familje të vjetra tironse. Rreth 800-900 banorë e fillojnë vitin e ri mbarë dhe mbarë jo vetëm se ka një rrugë, por se ka një cilësi të re jetese. Ajo që kemi parë është magjia e punës. Aty ku vihet dorë dhe punohet, realiteti transformohet, njerëzit janë bërë më familjarë me njëri-tjetrin, më bashkëpunues. Në disa vende kanë tërhequr muret, janë krijuar xhepa të vegjël për të mbjellë një pemë, për të vënë disa stola. Është ndoshta nisja me këmbë të mbarë e vitit 2019, që në fakt do të jetë një vit i dedikuar periferive, zonave rurale dhe periurbane”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë u kërkoi banorëve që të ruajnë investimet që bëhen në zonat e tyre. Këto investime, përveç zhvillimit rrisin vlerën e pronës së tyre.

“Dua t’i falënderoj banorët për mirëkuptimin. Ka qenë një nga zonat, ku realisht i gjithë komuniteti është bërë bashkë sesi t’i hapë rrugën bashkisë dhe të mos i pengojë investimet. Vërtet secili po lë nga një metër, por ama e marrin shumëfish në vlerën që marrin shtëpitë, banesat apo edhe bizneset e vogla, që janë në këtë komunitet. Ndaj dua t’u uroj të gjithëve gëzuar, një vit të mbarë. Ta mirëmbajmë këtë investim që të kemi mundësi si bashki, e skuadrat tona të shkojnë në terrene të tjera ku ka nevojë shumë për ndërhyrje”, tha më tej Veliaj.

Investimet e bashkisë konsistojnë në asfaltim, trotuare, kanalizime, ndriçim dhe gjelbërim.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel