Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” në Tiranë vuajnë dënimin 120 gra. Në pragun e ndërrimit të viteve, myftiu i Tiranës shtroi një drekë për 70 të burgosura, me shpresën për të sjellë sadopak atmosferën festive brenda mureve të këtij institucioni.

Në derën e burgut hyjnë persona me çanta me ushqime e rroba, të cilët vizitojnë familjarët, që për shkak të dënimit do ta kalojnë festën jo në gjirin e familjes. Ata ngurrojnë të flasin apo mërmërisin, kur i pyesim se kë po vizitojnë këtë ditë të fundit të 2018-s.

Myftiu i Tiranës, krahas ushqimeve ka sjellë edhe një çantë plot me karafila, për të rikujtuar edhe njëherë mesazhin e shpresës dhe kurajos për femrat e privuara nga liria.

“Besoj se është pozitive që të shihet nga ligjbërësit jo vetëm në raport me fajin, por edhe në raport me gjininë. Sepse në fund të fundit ka një fjalë, sipas të cilës nëna është ajo që lind njerinë. Po të shohim në botën tonë mashkullore, nëna apo femra është më e privuar jo vetëm nga liria, për këto që vuajnë dënimin këtu, por edhe në vendin e vet në shoqëri. Ka dhunë fizike, psikologjike, mosbarazi në ndarjen e pasurisë, në mundësinë për arsimim”, tha myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Afër burgut jetojnë familjarë, të cilët nuk janë indiferentë ndaj vizitave të shtuara në institucion me raste festash.

Sociologë, në studime të ndryshme thonë se në prag të ndërrimit të viteve, njeriu është mirë të vizitojë një burg, një spital apo një varrezë, për të rivlerësuar jetën e tij dhe për të kuptuar se hallet e tij, në krahasim me shumë të të tjerëve janë – siç thotë populli, – të ëmbla.

Top Channel