31 dhjetori është nata që bashkon njerëzit, mirëpo ka nga ata që për shkak të profesionit nuk shkëputen nga puna.

Një mënyrë tjetër e kalimit të festës është të kënaqësh njerëzit që kanë dalë për të festuar apo të japësh ndihmën e parë në raste incidentesh. Lorenc Hatia ka 19 vjet si zjarrfikës dhe kjo nuk është hera e parë që festën do e kalojë në patrullimin e situatës për fundvit me kolegët: “Gjithkush do ta festojë pranë familjes, por kjo është detyra jonë, misioni dhe qëllimi i zjarrfikësve: t’i shërbejnë komunitetit”.

E detyruar të punojë natën e ndërrimit të viteve është edhe Anila, operatorja e shërbimit zjarrfikës, ku veç punës duhet të përgatisë më parë darkën e fundvitit: “Unë jam në punë në darkë, kështu që paradite do të merrem me gatimet për familjarët. Por gratë gjithmonë janë të zonja në menaxhimin e kohës. I përkushtohem familjes dhe pastaj detyrës që kam marrë përsipër për të kryer”.

Ndërkohë, këta janë vetëm një pjesë e grupit mjekësor nga 40, të cilët do të jenë në gatishmëri të qytetarëve mbrëmjen e Vitit të Ri.

Infermierja Zamira Lekaj thotë: “Jemi të gatshëm ti qëndrojmë në gatishmëri popullit në 31. Është e vështirë, por kur je në frontin e punës je e detyruar, por mirëkuptohem edhe nga bashkëshorti edhe nga fëmija im”.

Ndërsa mjeku Arben Duka shprehet: “Dhe ambjenti i punës, përveç lodhjes e stresit është ajo kënaqësia e kalimit të festave me kolegët”.

Detyrën për të kënaqur njerëzit për festa e ka edhe Nermiko, me shijen që do të çojë në tavolinat e klientëve: “Është shumë ndryshe atmosfera nga ç’mund të kalohet në shtëpi. Nuk është ajo që do doja se do ishte më mirë pranë familjes e të afërmve”.

Të tjerë që nata e ndërrimit të viteve i gjen në punë janë edhe gazetarët e kameramanët, të cilët raportojnë për atmosferën e fundvitit.

Top Channel