Forcat siriane proqeveritare kanë hyrë në qytetin verior të Manbij, për të parën herë në 6 vite. Milicitë kurde që kontrollonin zonën u tërhoqën dhe ftuan forcat siriane të rimarrin qytetin, në mesin e frikës se trupat turke do të ndërmerrnin një ofensivë të re.

Turqia i konsideron forcat kurde si pjesë të një grupi terrorist. Kërkesa e kurdëve, të mbështetur nga SHBA, pasoi lajmërimin e papritur se Amerika do të tërheqë të gjitha trupat nga Siria.

Presidenti Donald Trump foli për tërheqjen e rreth 2.000 trupave javën e shkuar, duke deklaruar se grupi i Shtetit Islamik ishte mundur. Por, pretendimi është vënë në diskutim nga aleatë të rëndësishëm, që thonë se lëvizja mund të çojë në një ringritje të grupit.

Pasojat e vendimit të papritur të presidentit Trump, për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Siria, tani po shihen në terren.

Manbij është një qytet me rëndësi strategjike në Sirinë veriore, që deri më tani ishte nën kontrollin e forcave kurde të mbështetura nga SHBA. Kurdët, që udhëhoqën luftën kundër Shtetit Islamik, e shohin vendimin e Trumpit si një tradhti.

Pa mbështetjen e amerikanëve, udhëheqësit kurdë po detyrohen tani të zgjedhin atë që ata e shohin si opsionin më pak të keq. Ata shpresojnë që prania e ushtrisë qeveritare siriane, që mbështetet nga Rusia dhe Irani, do të pengojë Turqinë të nisë ndonjë sulm.

Turqia ka intensifikuar ndërkohë aktivitetet e saj ushtarake, afër pozicioneve të mbajtura nga luftëtarët kurdë, që nga njoftimi i tërheqjes i Trumpit më 19 dhjetor.

Top Channel