Epstein vizitoi rezidencën mbretërore me ftesë të Andrew, policia skoceze nis hetimet për Balmoral

30/10/2026 21:52

Policia e Skocisë ka nisur një hetim lidhur me vizitat e Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, në rezidencën mbretërore të Balmoral, pas informacioneve të marra nga autoritetet.

Sipas raportimeve, Epstein dhe Maxwell vizituan pronën mbretërore në vitin 1999, me ftesë të Princit Andrew, në atë kohë një prej anëtarëve më të njohur të familjes mbretërore britanike.

Një zëdhënës i Policisë së Skocisë konfirmoi se çështja po hetohet, por theksoi se procedurat ndodhen ende në një fazë shumë të hershme.

“Të gjitha hetimet bazohen në prova, duke pasur në qendër nevojat e viktimave dhe të mbijetuarve. Ne nuk konfirmojmë kurrë detajet e hetimeve në vazhdim dhe do të ishte e papërshtatshme të komentonim më tej”, deklaroi zëdhënësi.

Kështjella Balmoral, e cila ndodhet në Skoci, është në pronësi të familjes mbretërore britanike që prej vitit 1852, kur u ble nga Mbretëresha Victoria dhe Princi Albert. Ajo është një nga rezidencat e preferuara të familjes mbretërore dhe vendi ku Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në shtator të vitit 2022, në moshën 96-vjeçare.

Hetimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet e ish-Princit Andrew me Jeffrey Epstein vijojnë të shkaktojnë tronditje për monarkinë britanike.

Në fund të vitit të kaluar, Mbreti Charles i hoqi vëllait të tij titujt princ dhe dukë, pas polemikave të vazhdueshme lidhur me lidhjet e tij me financierin amerikan, i dënuar për krime seksuale.

Andrew u arrestua më 19 shkurt, në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për sjellje të keqe gjatë ushtrimit të detyrës publike. Arrestimi erdhi pas akuzave se ai kishte ndarë informacione të ndjeshme me Epstein gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-princi u mor në pyetje nga autoritetet dhe më pas u lirua, ndërsa hetimi ndaj tij vijon. Andrew i ka mohuar kategorikisht akuzat për çdo shkelje apo sjellje të papërshtatshme.

Top Channel