Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka firmosur ligjin për amnistinë të miratuar para tre ditësh nga parlamenti. Ligji do të amnistojë një numër të madh të të akuzuarve lidhur me ngjarjet e dhunshme të prillit të vitit të kaluar në Parlament.
Gjithsej 33 persona, prej tyre pesë deputetë, ish-zyrtarë të lartë policorë, artistë, por dhe përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndodhen në bankën e të akuzuarve në procesin gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Apelit në Shkup.
Vendimi i presidentit Ivanov ishte i pritshëm. Ligjin e votuan edhe ligjvënësit e VMRO-së opozitare. Ligji ka dalë të premten në fletoren zyrtare dhe me këtë ka hyrë në fuqi. Kështu që, prej sot deri të marten që vjen zgjat afati kur të akuzuarit mund t’i drejtohen Gjykatës Penale për amnisti lidhur me ngjarjet e 27 prillit, 2017. Gjykata do të vendosë në bashkëpunim me prokurorinë publike, po ashtu brenda një afati prej pesë ditësh pasi t’i kenë pranuar kërkesat.
Tashmë duket se është e qartë se ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së do të jenë ndër të amnistuarit, ndonëse ligji ka nxitur mjaft pakënaqsi tek opinioni publik, por edhe tek një pjesë e gjykatësve e prokurorëve. Gjykatësja e lëndës, Dobrilla Kacarska dhe prokurorja Vilma Ruskovska e kanë cilësuar ligjin si tepër të shpejtë dhe të paqartë sepse “asnjë fakt nuk dëshmohet pa u dëshmuar në procesin gjyqësor”. Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve thonë se vendimi i parlamentit nuk ka qenë i lehtë, por se për momentin është pragmatik dhe i dobishëm për vendin.
Një nga deputetët, Kërsto Mukovski shihet në regjistrimet e kamerave të sigurisë së parlamentit duke ua hapur dyert demonstruesve për të hyrë brenda. Vetë zoti Mukovski, katër kolegët e tij të akuzuar dhe deputetët tjerë opozitarë maqedonas e votuan ligjin.
Ligji ka shkaktuar pakënaqësi sidomos te shqiptarët e Maqedonisë, të cilët vlerësojnë se pushteti i falë keqbërësit maqedonas në një proces të ngarkuar për veprën “terrorizëm kundër shtetit”, ndërsa lë në burg shqiptarët e dënuar për ngjarjet e Kumanovës dhe në procese të tjera që nuk rrezikonin shtetin sikur ky i 27 prillit të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, ligji u soll për shkak të përfitimit të votave të deputetëve opozitarë maqedonas për ndryshimet e pritshme kushtetuese që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndonëse komuniteti ndërkombëtar e ka mirëpritur ligjin e aministisë për shkak të hapjes së rrugës për këto ndryshime, një pjesë e ekspertëve mendojnë nga ana tjetër se me këtë ligj pushteti ka dobësuar vetë gjyqësorin dhe besimin edhe ashtu të ulët tek ai.
Top Channel