Juventusi do të presë sonte në “Allianz Stadium” Interin, në atë që quhet derbi i Italisë, pasi bëhet fjalë për një përballje mes dy skuadrave që i kanë dhënë tonin kampionatit italian të futbollit.
Vëmendja maksimale pritet të jetë te sfida e nesërme, kur mes shumë yjeve, me interes pritet edhe një mini-sfidë, mes Cristiano Ronaldos dhe goleadorit zikaltër, Mauro Icardi. Gjithsesi Juventus-Inter është një sfidë që nuk fillon dhe mbaron asnjëherë gjatë 90 minutave, por vijon në çdo çast me beteja të ndryshme.
Merkatoja është një aspekt ku dy skuadrat po përballen fuqishëm, pasi për shkak të afrimit të Giuseppe Marottës, ish drejtuesit të Juventusit, në klubin zikaltër, ka bërë që shumë emra të jenë të njëjtë tashmë.
Kështu dy klubet pritet të bëjnë një betejë të vërtetë në disa reparte dhe për të paktën 5-6 emra futbollistësh, të cilët ndiqen me shumë interes si nga bardhezinjtë, ashtu edhe nga milanezët.
Kështu në mbrojtje janë Andersen i Sampdorias dhe Mancini i Atalantës, që po zhvillojnë një sezon mjaft të mirë dhe si Interi, ashtu edhe Juventusi, kanë marrë kontaktet zyrtare me klubet përkatëse.
Sa i përket mesfushës, emrat janë ata të italianëve më në zë të momentit, Barrela i Cagliarit dhe Tonali i Brescias, të dy të rinj të talentuar dhe që kërkohen me ngulm nga klube italiane e europiane.
Dueli i fortë është edhe në sulm, me Federico Chiesën që kryeson listën e dëshirave të të dy skuadrave, por në orët e fundit sfida është hapur edhe për francezin Anthony Martial, që po luan sezonin e fundit me Manchester United.
Natyrisht që me shumë rëndësi do të jetë rezultati i nesërm, kjo edhe për ecurinë e kampionatit, por sa i përket të ardhmes, interesi zhvendoset te beteja e merkatos dhe klubi që do të marrë më shumë prej këtyre “xhevahirëve” të përmendur.
Top Channel