Emisioni Fiks Fare solli rastin e një mësueseje ndihmëse, Feride Kastrati, e cila prej 1 muaj e gjysmë justifikohet me raport mjekësor fiktiv, duke lënë pa mësim një nxënës 7-vjeçar me çrregullime të spektrit autik.
Sipas mjekut Gëzim Basha, znj. Kastrati ka qenë e shtruar në Maternitetin e Kukësit nga data 6 nëntor deri në 16 nëntor. Pas verifikimit nga gazetarët në maternitet, asnjë nga infermieret nuk e mbante mend pacienten.
Lavdrim Oruçi iu drejtua emisionit Fiks Fare pasi nuk gjeti zgjidhje në asnjë institucion tjetër. Ai tregoi për Fiksin se ka 1 muaj e gjysmë që djali i tij 7-vjeçar nuk po shkon në shkollë, pasi nuk po vjen mësuesja ndihmëse. “Ervini, djali im 7 vjeç është me nevoja të veçanta, është i spektrit autik. Filloi klasën e parë dhe ishte diçka e mrekullueshme për të, por mësuesja ndihmëse erdhi vetëm një javë dhe tani ka 1 muaj e gjysmë që nuk po vjen më, ndaj dhe djali nuk më shkon në shkollë”, thotë Lavdrimi.
Gazetarët e Fiksit ju drejtuan Drejtorisë Arsimore Rajonale Kukës, ku drejtori i këtij institucioni, Skënder Ahmeti tha se “mësuesja Feride Kastrati është justifikuar me raporte pranë nesh, ndaj ne nuk mund të shkelim ligjin, ta heqim nga puna, ndërkohë nuk kemi mësuese zëvendësuese”. Ai pranoi për gazetarët se këtë mësuese e kishte marrë nga cikli i ulët dhe e kishte emëruar mësuese ndihmëse, pasi ishte me probleme familjare dhe e kishte ndihmuar.
Një ndër shqetësimet që ngriti drejtori për gazetarët ishte mënyra si mësuesit siguronin raportet, madje ai u kërkoi gazetarëve ta ndjekin këtë gjë.
Pasi morën raportet në drejtorinë arsimore, gazetarët shkuan në Maternitetin e Kukësit. Meqë nuk gjetën mjekun i cili kishte bërë shtrimin, komunikuan me mjekun roje dhe infermierët e pavijonit ku presupozohet të ishte shtruar “pacientja”. Asnjëri nga ato nuk e njihte pacienten. Madje, infermieret filluan të shfajësohen dhe të thonë se kanë qenë me leje, por pas këmbënguljes së gazetarëve ato pranuan se nuk e njohin atë. Ndërkohë, pacientja është regjistruar kur është shtruar, po ashtu ka edhe një kartelë mjekësore, por që askush në spital nuk e mban mend edhe pse ka qëndruar për një kohë të gjatë.
Top Channel