Shtetet e Bashkuara i dhanë lamtumirën të mërkurën ish-presidentit George H.W. Bush me një funeral shtetëror në Uashington, ku morën pjesë figura të larta të politikës amerikane, së bashku me udhëheqës aktualë e të mëparshëm nga e gjithë bota.
Ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama iu bashkuan Presidentit Donald Trump, gjatë shërbimit të përmortshëm për ish-presidentin George H.W. Bush në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku fjalimi kryesor u mbajt nga George W. Bush, djali i presidentit të ndjerë si dhe Presidenti i 43-të i SHBA-së.
“Ai na mësoi se shërbimi publik ishte diçka fisnike dhe e domosdoshme”, tha ish-Presidenti Bush përpara të pranishmëve në katedralen shpirtërore episkopale. “Ai kishte një aftësi të madhe për të dhënë nga vetëvetja”, tha ai.
Ndërsa mbaronte fjalimin George W. Bush nisi të qajë. Ai e përshkroi babain e tij si “një njeri të madh e fisnik”.
“Nëpërmjet lotëve, na lër të pranojmë bekimin që të njohëm e të deshëm; një burrë i mrekullueshëm dhe fisnik. Babai më i mirë që një bir apo bijë mund të ketë … Dhe në këtë pikëllim, le të buzëqeshim duke ditur se babai po përqafon Robin dhe po mban dorën e mamasë sonë sërish”, tha Bush.
Top Channel