Nën nismën “Mjekë për Shqipërinë”, Manastirliu “promovon” klinikën private të mjekes ruse

29/11/2018 20:40

“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së enjtes rastin e mjekes gjinekologe, Irina Alla, e cila sipas postimit të bërë nga ministrja Manastirliu ka “lënë” Rusinë dhe punon në Konsultoren e Gruas në Elbasan.

Faktikisht, kjo mjeke e ka si zyrë takimesh konsultoren, pasi pjesën më të madhe të vizitave i kryen gjatë orarit të punës në dy klinikat e saj private, në Elbasan dhe Librazhd. Madje, edhe fotoja e postuar nga ministrja është bërë në klinikën e saj private.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në faqen e saj të Facebook, nën nismën “Mjekë për Shqipërinë” promovon mjeken ruse dhe klinikën e saj private. Duke dashur t’i sjellin sa më “të bukura” te publiku ambientet ku punojnë mjekët, postojnë një foto të bërë në klinikën private.

Nën këtë nismë, ku mjekë të ndryshëm të specializuar jashtë vendit rikthehen në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë ka reklamuar edhe mjeken Irina Alla. Në foto, ajo shfaqet duke bërë eko te një paciente, në një zyrë tepër komode dhe me pajisje të fjalës së fundit.

Por, në këtë postim nuk përmendet fakti se kjo foto, në realitet është bërë jo në ambientet e Konsultores së Gruas, por në klinikën e saj private. Konsultorja e Gruas, ku kryhen vizitat, jo vetëm që nuk ka të tilla kushte, por nuk ka asnjë aparat ekografie.

“Fiks Fare”, nëpërmjet kamerave të fshehta faktoi mungesën e mjekes gjatë orarit të punës, më shumë sesa dy herë. Rasti më flagrant është ai i datës 26 nëntor, kur doktoresha nuk ishte në vendin e saj të punës teksa e prisnin paciente, por ishte në klinikën e saj në Librazhd.

Gjatë ditës, bashkëpunëtorja e “Fiksit” e kërkoi disa herë mjeken në vendin e punës, nga ora 10:00 deri në orën 14:00, por nuk e gjeti asnjëherë. Infermierja e saj i thotë qartë e prerë se mjekja nuk do të kthehej më, e se mund të vinte për vizitë të nesërmen në orën 9:00.

Gjithashtu, ajo pyeti edhe punonjëse të tjera, të cilat pranuan që mjekja nuk gjendej në zyrë. Në mëngjes e gjen vetëm të martë, të mërkurë dhe të premte. Ndërsa ora 14:00 është një orar që nuk e gjen thuajse asnjëherë.

Në këto kushte, ajo iu drejtua klinikës së doktoreshës ne Librazhd, pasi sipas informacionit, të hënë dhe të enjte në mëngjes doktoreshën e gjeje atje. Me të mbërritur në orën 13:20, mjeku i tha bashkëpunëtores së “Fiksit” se doktoresha sapo ishte larguar. Ai i sugjeroi ta kontaktonte në telefon, pasi nëse nuk është në klinikë ajo vjen shpejt, sepse klinika dhe konsultori në Elbasan janë shumë afër.

“Fiks Fare” kontaktoi mjeken Irina Alla dhe infermieren e saj. Të dyja e mohuan para kameras së “Fiksit” që të ishin larguar nga vendi i punës. Gjithashtu, mjekja pretendoi se fotoja e postuar nga ministrja është bërë në një nga trajnimet e radhës, e jo në klinikën e saj private.

Por, kamerat e “Fiksit” dhe bashkëpunëtorët e emisionit investigativ e sjellin me zë dhe figurë të vërtetën, duke përgënjeshtruar jo vetëm mjeken, por edhe Ministrinë e Shëndetësisë, institucion i cili duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi detajeve, për të mos “zhgënjyer” si në këtë rast publikun.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA