Udhëheqësit e BE-së miratuan marrëveshjen mbi tërheqjen e Britanisë së Madhe nga blloku, marsin e ardhshëm, e marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, duke këmbëngulur se kjo ishte marrëveshja e vetme dhe më e mira e mundshme.
Pas 20 muajsh negociata, 27 krerët e shteteve anëtare i dhanë marrëveshjes bekimin e tyre, e këtë e bënë pas më pak sesa një ore diskutimesh. Ata thanë se marrëveshja, që tani duhet miratuar nga Parlamenti britanik, hap rrugën për një tërheqje të rregullt. Por, marrja e mbështetjes së parlamentarëve britanikë është një sfidë më vete.
“Nëse njerëzit mendojnë se ka ende çështje për t’u negociuar, nuk është ky rasti. Kjo është marrëveshja që është hedhur në tryezë, kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme, është marrëveshja e vetme e mundshme”, tha Theresa May.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha ndërkohë se, kushdo në Britani që mendon se blloku mund të ofrojë kushte më të mira, nëse deputetët e refuzojnë marrëveshjen, do të mbetej i zhgënjyer.
“Ftoj ata që duhet të ratifikojnë këtë marrëveshje në Dhomën e Komuneve ta marrin seriozisht në konsideratë. Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për Britaninë, më e mira e mundshme për Europën…kjo është e vetmja marrëveshje e mundshme”, tha Juncker.
Parlamenti britanik pritet të votojë marrëveshjen në fillim të dhjetorit, por asgjë nuk është e garantuar. Deputetë laburistë, liberalë demokratë, e madje edhe konservarorë, kanë paralajmëruar votën kundër. Nëse deputetët refuzojnë marrëveshjen, një seri skenarësh janë të mundshëm, përfshirë atë të daljes nga BE-ja pa një marrëveshje, një përpjekje për të rinegociuar apo zgjedhje të përgjithshme.
Top Channel