SHBA sulmon objektiva iraniane pas sulmit ndaj anijes tregtare në Hormuz, akuza Teheranit: Ke shkelur armëpushimin
Më shumë se 920 persona kanë humbur jetën dhe rreth 3,360 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën.
Autoritetet bëjnë të ditur se shumë persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet intensive për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja.
Rajoni i La Guaira, në veri të kryeqytetit Karakas, është zona më e goditur nga katastrofa. Dhjetëra ndërtesa, përfshirë spitale, qendra tregtare dhe objekte të tjera infrastrukturore, janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda. Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar dhe një nga portet kryesore të vendit ndodhen gjithashtu në këtë rajon.
Sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, të paktën 172 persona besohet se ndodhen ende të bllokuar nën rrënoja, ndërsa vetëm në La Guaira janë shpëtuar 243 persona. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, deklaroi se dhjetëra qytetarë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe se deri tani janë regjistruar 214 lëkundje pasuese.

Dy tërmetet goditën vendin me vetëm pak sekonda diferencë. Tërmeti i dytë, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet ndër më të fuqishmit që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.
Sistemi shëndetësor po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të numrit të lartë të të plagosurve. Mjekët po ofrojnë ndihmë në qendra të improvizuara, ndërsa spitalet e mbetura funksionale janë të mbingarkuara dhe përballen me mungesë të ilaçeve dhe pajisjeve.
“Të gjitha spitalet tona kanë mungesë furnizimesh dhe ilaçesh. Edhe në kushte normale ishte e vështirë të trajtonim pacientët, ndërsa tani situata është shumë më e rëndë”, tha mjeku Pedro Javier Fernandez.

Ndërkohë, familjet vazhdojnë të presin me ankth lajme për të afërmit e tyre. Banorja e La Guaira, Natacha Diaz, tha se dy vajzat e saj, 22 dhe 23 vjeç, mbetën të bllokuara nën rrënojat e një qendre tregtare ku punonin.
“Unë thjesht dua që ato të gjenden. Kam shpresë se janë ende gjallë. Janë gjithçka që kam”, u shpreh ajo.
Operacionet e shpëtimit janë vështirësuar nga rrugët e dëmtuara, ndërprerjet e komunikimit dhe mungesa e pajisjeve, duke bërë që në disa raste ekipet të kërkojnë të mbijetuarit me duar të zhveshura.
Ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në Venezuelë. Ekipe kërkim-shpëtimi nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Holanda, Meksika dhe Zvicra janë angazhuar në operacionet e emergjencës. SHBA ka njoftuar gjithashtu dërgimin e anijeve, avionëve transportues dhe një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh për përballimin e pasojave të katastrofës.
Top Channel