Pronarët që preken nga ndërtimi i Unazës se Madhe do të shpronësohen 100% ndërsa ata që kanë ndërtuara pa leje ofrohet bonusi i qerase për tre vjet dhe banesa sociale.
Veliaj shfrytëzoi këshillin e fëmijëve në Ditën Ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve për të theksuar këtë ofertë.
“Nuk ka asnjë arsye pse një për qind e popullsisë të ndërtojë një shtëpi 3 katëshe, ose në disa raste edhe 8 katëshe në tokën e dikujt tjetër, ndërsa prindërit tuaj do të duhet fillimisht ta fillojnë me qira, pastaj të marrin një kredi, pastaj ta paguajnë derisa të rriteni ju, të shkoni në shkollë, e pastaj kur të rriteni ju e të shkoni në punë, të keni mundësi të ndihmoni prapë familjen. Jam shumë i lumtur që nga dje banorët e kanë kuptuar që ca politikanë po i përdorin dhe sot kanë shkuar të regjistrohen për t’u shpronësuar. Ky është një lajm shumë i mirë”, u shpreh ai.
Veliaj tha se me Unazën e Madhe merr zgjidhje një herë e mirë trafiku në Tiranë.
“Unaza e Re, siç është sot, nuk e përballon të gjithë atë fluks, ka shumë njerëz që vijnë nga rrethet e tjera në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një projekt të ri me Unazën e Re, që është projekti që po bëhet nga Qeveria shqiptare, Ministria e Transportit dhe ARRSH. Ne si bashki jemi përfituesit kryesorë sepse çlirohet i gjithë ai trafik te Unaza e Re. Edhe te Pazari i Ri, edhe te Lodrat te Liqeni, gjithmonë sa herë bëhet një gjë e re, ka politikanë që mundohen të përfitojnë, duke thonë: “Hajt t’i bëjmë njerëzit të zihen me kryeministrin, me kryetarin e Bashkisë, vetëm që të mos bëhen gjërat dhe të fitojmë ndonjë votë”, tha Veliaj.
Kryetari i bashkisë theksoi se banorët që protestojnë po keqpërdoren nga partitë politike të opozitës. Ndërkohë ai u bëri thirrje fëmijëve t’i bashkohen nismës për të vendosur një flamur në ballkonin e shtëpisë së tyre me afrimin e festave të nëntorit.
Top Channel