50 grekë, të padëshirueshëm. Vendimi, pas thirrjeve antishqiptare në Bularat

09/11/2018 14:20

56 shtetas grekë janë të padëshirueshëm në Shqipëri. 44 prej tyre u ndaluan që dje në Kakavijë, ndërsa 12 të tjerë u shoqëruan nga policia pas ceremonisë në Bularat.

Të shoqëruarit u liruan mëngjesin e së premtes, por ata do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se shtetasit në fjalë do të akuzohen për nxitje të urrejtjes, që në Kodin Penal shqiptar parashikohet në seksionin e veprave kundër rendit dhe sigurisë publike. Mes personave të proceduar është dhe ekstremisti i njohur grek Haralamb Karathano, i cili rezulton se është futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, pasi nuk është i regjistruar në sistemin TIMS.

Për këtë, Karathano mund të akuzohet edhe për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërkohë që 44 shtetas të tjerë grekë nuk u lejuan të hynin në Shqipëri të enjten, pasi policia dispononte të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat. Policia ka evidentuar dhe dokumentuar qartë elemente që përdorën ceremoninë mortore për qëllime propagandistike dhe ekstremiste.

Të premten për Bularatin me doza ironie reagoi në rrjetet sociale për të dytën herë edhe kryeministri Edi Rama: “Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit”.

Ndërkohë, për zhvilimet në Bularat, ministri i Jashtëm iu përgjigj interesimit të banorëve të Gjegjanit gjatë një dëgjese në kuadër të llogaridhënies: “Nëse i referohemi ngjarjes së djeshme, ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA