Donald Trump, republikanët e tij dhe rivalët demokratë janë përfshirë nga ethet e ditës së fundit të fushatës zgjedhore, në prag të votimeve të mesit të mandatit, kur zgjedhësit do të thonë fjalën e tyre për dy vitet e para në pushtet të presidentit.
Trump iu është kthyer mesazheve të tij nacionaliste, që rezonuan me bazën e tij gjatë fushatës së vitit 2016, ndërsa endet në të gjithë vendin për të siguruar vota duke përdorur një gjuhë ndezëse, ndërkohë që flet për një vend që ndodhet nën kërcënimin e turmave të emigrantëve të paligjshëm, krimit dominant dhe demokratëve të ekstremit të majtë.
“Ata duan të imponojnë socializmin në vendin tonë. Duan të fshijnë kufijtë e Amerikës”, tha Trump.
E ndërsa republikanët synojnë të mbrojnë shumicat e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, demokratët shpresojnë të entuziazmojnë bazën dhe të bëjnë që ata të fitojnë të paktën kontrollin e pjesshëm të Kongresit, nga ku do të pengonin agjendën e Trumpit.
Demokratët kanë nxjerrë në terren madje edhe ish-presidentin Barack Obama, i cili bëri një apel të momentit të fundit nga Indiana.
“Ata janë përballur me aq shumë sfida ligjore, sa nuk mund të numërohen. Askush në administratën time nuk është përndjekur”, tha Obama.
Ekspertët dhe sondazhet vlerësojnë se demokratët janë më mirë të pozicionuar për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Por, në të parat zgjedhje të mesit të mandatit nën drejtimin e Trumpit, një president ky jokonvencional, sigurisht që mbeten shumë të panjohura.
Top Channel