Agjenti i ICE hap zjarr në Austin, një burrë plagoset rëndë, autoritetet nisin hetimet
Tetëmbëdhjetë persona janë ekstraduar nga Haiti drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të përballen me gjyqin për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e presidentit të atëhershëm të Haitit, Jovenel Moise, në vitin 2021.
Lajmi u bë i ditur të dielën nga prokurori federal amerikan që po merret me çështjen. Prokurori Jason Redding Quinones e përshkroi ekstradimin si “fazën tjetër të rëndësishme” të përpjekjeve për të sjellë para drejtësisë personat e dyshuar për vrasjen e Moise.
“Pesë vjet pas ngjarjeve, ne vazhdojmë t’i sjellim të dyshuarit para drejtësisë amerikane dhe ende nuk kemi mbaruar”, shkroi ai në platformën X, duke bërë të ditur se në këtë çështje janë ngritur akuza ndaj 30 personave.
Mes 18 personave të ekstraduar ndodhet edhe Joseph Felix Badio, ish-anëtar i njësisë kundër korrupsionit të Haitit, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas burimeve nga qeveria e përkohshme dhe policia haitiane, Badio konsiderohet një nga të dyshuarit kryesorë në çështje.
Të ekstraduarit e tjerë janë mercenarë kolumbianë, sipas të njëjtave burime.
Jovenel Moise, 53 vjeç, u qëllua për vdekje natën e 6-7 korrikut 2021 në rezidencën e tij private në Port-au-Prince. Sulmi u krye nga një grup personash të armatosur, ndërsa truprojat e presidentit nuk ndërhynë.
Vrasja e Moise e thelloi krizën politike dhe të sigurisë në Haiti, një prej vendeve më të varfra të Hemisferës Perëndimore. Vendi nuk ka zhvilluar zgjedhje që nga viti 2016 dhe që prej vrasjes së Moise nuk ka pasur një president.
Policia haitiane arrestoi menjëherë rreth 40 persona, mes tyre rreth 20 mercenarë kolumbianë. Megjithatë, hetimi në Haiti është përballur me probleme të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë.
Paralelisht me hetimet në Haiti, autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj 11 personave për përfshirjen e dyshuar në komplotin për vrasjen e Moise. Prokurorët amerikanë pretendojnë se komploti për vrasjen ose rrëmbimin e presidentit u organizua në Florida.
Pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm në SHBA për këtë çështje, ndërsa katër të tjerë u shpallën fajtorë në maj për një sërë akuzash, përfshirë komplotin për të vrarë ose rrëmbyer presidentin e atëhershëm të Haitit.
Vrasja e Moise ndodhi në një vend që prej vitesh përballet me krizë politike, ekonomike dhe të sigurisë. Situata është përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit për shkak të dhunës së bandave.
Sipas një vlerësimi të publikuar në qershor nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 1.5 milionë nga afro 11 milionë banorët e Haitit janë detyruar të zhvendosen brenda vendit për shkak të dhunës. Sulmet nuk janë të përqendruara vetëm në kryeqytetin Port-au-Prince.
Ndërkohë, autoritetet zgjedhore kanë parashikuar që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të zhvillohet në dhjetor, ndërsa raundi i dytë është planifikuar për shkurt 2027.
Top Channel