Përplasje në ujërat e Singaporit/ Anija e mallrave godet varkën e peshkimit, filmohen momentet dramatike

21/09/2026 09:27

Një përplasje mes një anijeje mallrash dhe një varke peshkimi në ujërat e Singaporit është filmuar dhe pamjet po qarkullojnë në mediat sociale.

Incidenti ndodhi, kur anija e mallrave me flamur panamez “First Margaux” u përplas me anijen kineze të peshkimit “Luqing Yuanyu 108”.

Përplasja shkaktoi dëme të mëdha në varkën e peshkimit, e cila u anua ndjeshëm drejt detit. Në pamjet e publikuara shihen momentet e vështira për marinarët, të cilët përpiqen të ruajnë ekuilibrin ndërsa uji kishte përmbytur kuvertën e anijes.

Videoja tregon situatën e rrezikshme në të cilën u gjend ekuipazhi pas përplasjes, ndërsa varka e peshkimit vijon të jetë e anuar.

Deri në këtë fazë, mbetet e paqartë nëse incidenti ka shkaktuar viktima, ndërsa nuk dihen ende as shkaqet që çuan në përplasjen mes dy mjeteve lundruese.

Top Channel