Dyshohet i përfshirë në korrupsion, kryeministri izraelit merret në pyetje nga hetuesit

06/10/2018 05:36

Policia izraelite mori në pyetje kryeministrin Benjamin Netanjahu për herë të 12, gjatë kësaj të premteje, në lidhje me një hetim të gjatë për disa akuza korrupsioni.

Hetuesit e pyetën Netanjahun për disa orë në rezidencën e tij zyrtare në Jerusalem, ndërsa Radioja e Ushtrisë dhe degët e tjera të lajmeve, thanë se kryeministri u përgjigj për dy raste në të cilat policia tashmë ka rekomanduar padi kundër tij.

Një rast merret me dhuratat që thuhet se i janë dhënë Netanjahut dhe familjes së tij dhe tjetri me pretendimet që ai diskutoi për sigurimin e mbulimit më të mirë të aktiviteteve të tij politike në Yedioth Ahronoth, një nga gazetat më të mëdha të Izraelit, në këmbim të frenimit të rivalit të tij, Hayom.

Deri tani asnjë akuzë nuk është ngritur kundër udhëheqësit izraelit, i cili mohon çdo keqbërje dhe i ka quajtur akuzat të pabazuara, ndërsa partnerët në koalicionin qeverisës të Netanyahut kanë qëndruar pranë tij, duke thënë se po presin lëvizjet e ardhshme.

Prokurori i përgjithshëm i Izraelit do të vendosë nëse do të ngrejë padi, ndërsa policia tha në një deklaratë se seanca e pyetjeve të së premtes zgjati disa orë, por nuk dha detaje të tjera.

Një zëdhënës i Netanyahut tha se kryeministri “iu përgjigj çdo pyetjeje me besim të plotë, duke e ditur qartë se asgjë nuk ka ndodhur dhe për këtë arsye asgjë nuk do të vijë prej këtij hetimi”.

Netanjahu është marrë në pyetje edhe në një rast të tretë, në të cilin policia pohon se pronarët e kompanisë më të madhe të telekomunikacionit të Izraelit, kanë siguruar mbulim të favorshëm të tij dhe të gruas së tij në një faqe interneti të lajmeve, të kontrolluar, në këmbim të trajtimit të veçantë nga rregullatorët e komunikimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA