Qeveria populiste e Italisë ka arritur marrëveshje për shpenzimet, në përpjekje për t’i dhënë “fund varfërisë” me buxhetin e parë qeveritar të miratuar prej koalicionit Lega-5 Yjet.
Dy partitë qeverisëse, “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” njoftuan mbrëmjen e vonë të së enjtes se kishin arritur akordin për deficitin buxhetor në nivelin 2.4 për qind të prodhimit kombëtar. Ata do të vijojnë tashmë përpjekjet e tyre për të ardhurat minimale për të papunët.
Vendimi sfidon kështu kërkesat e Brukselit, që i kërkon Italisë të frenojë borxhin e saj. Ai shënon gjithashtu një humbje për ministrin teknokrat të Ekonomisë, Giovanni Tria, i cili bënte thirrje për shpenzime më të ulëta.
Tria kërkonte të kufizonte deficitin buxhetor nën 2 për qind të GDP-së, në mënyrë që të shmangte shtimin e mëtejshëm të borxhit të Italisë prej 2.3 trilionë eurosh. Por, kolegët e tij politikanë kërkuan dhe ia arritën të çlironin më shumë parà në mëyrë që të përmbushnin premtimet e tyre elektorale, mes të cilave të ardhurat bazike, ulje taksash dhe tërheqjen nga planet për mosha më të larta të daljes në pension.
Lajmi që pushtoi mediet italiane e jo vetëm gjatë natës, goditi ndjeshëm kostot e huamarrjes për Italinë mëngjesin e së premtes, ndërsa ka raportime se presidenti i Italisë i ka bërë thirrje ministrit Tria të mos dorëhiqet.
Por si po e sfidon Italia BE-në? Vendimi i qeverisë populiste italiane është në fakt nën limitin e deficitit të përcaktuar nga BE-ja prej 3% të GDP-së. Por, Italia, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës kishte premtuar të ulte ndjeshëm borxhin e saj që luhatet në kufijtë e 131 për qind të prodhimit kombëtar, niveli i dytë më i lartë pas Greqisë.
Përpara se të vinin në pushtet partitë populiste, qeveria e qendrës së majtë të Matteo Renzit synonte ta ulte deficitin buxhetor në 0.8 për qind, me objektivin për të balancuar shifrat deri në vitin 2020. E duke emëruar një teknokrat si ministër të Financave, “Lega Nord” dhe “5 Yjet” tentuan të qetësonin tregjet financiare dhe Brukselin njëkohësisht. Megjithatë, objektivi për deficitin buxhetor në nivelin 2.4 për qind është përcaktuar jo vetëm për vitin 2019, por edhe për dy vitet pasardhëse.
Top Channel