“Zhurmë, zhurmë… shumë zhurmë”. Qytetarët: Këtu nuk jetohet më

16/09/2018 17:17

Në Shqipërinë e rrëmujshme të pas viteve ’90, gjithkush rendi të rriste mirëqënien pa e vrarë shumë mendjen se lokali, lavazhi apo servisi i makinave që kishte hapur në katin e parë, do të linte pa gjumë të gjithë pallatin. Në qytetet e mëdha, këto janë vetëm një nga burimet e zhurmave, ndërsa më kryesori mbetet trafiku rrugor.

Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania, numri i automjeteve në vend ka ardhur duke u shtuar nga viti në vit dhe aktualisht janë të regjistruara rreth 435 mijë autovetura. Nga ana tjetër, në Shqipëri numërohen me gishtat e dorës ato rrugë apo superstrada që kanë mbrojtëse anësore apo panele kundër zhurmave. Edhe në ato raste kur ato janë përdorur, si për shembull në pjesën e re të Unazës së Re në Tiranë, banorët përreth thonë se ato përsëri janë të pamjaftueshme, duke e bërë thuajse të padurueshme jetesën në këtë zonë të mbipopulluar të kryeqytetit.

“Te mbikalimi është zhurmë e madhe. Nuk flemë dot. Nuk jetohet më këtu”, thotë një qytetare.

Në zonat dhe qendrat urbane dhe turistike, një ndër burimet kryesore të ndotjes akustike është edhe sektori i shërbimeve sociale, që përfshin baret, restorantet klubet e natës, diskotekat. Por ligji ngarkon pushtetin vendor për identifikimin, kontrollin dhe vendosjen e orareve ndaj tyre. Kjo asnjëherë nuk ka funksionuar plotësisht dhe zhurmat e lokaleve janë çdo vit një temë e nxehtë.

Gjithashtu, në dorën e pushtetit vendor është edhe vendimi nëse dikush mund të hapë një biznes mobilerie, duralumini apo servis makinash në një zonë të banuar. Në shumicën e rasteve kur zhurmat prej këtyre bizneseve janë bërë stresuese për banorët, situatat zgjidhen vetëm me ndërhyrjen e policisë bashkiake apo asaj të rendit.

Me leje nga pushteti qendror dhe miratim nga pushteti vendor rregullohet edhe sektori i industrisë. Por në dhjetëra kronika lajmesh kemi dëgjuar shpesh komunitete banorësh në fshatra e zona periferike qytetesh që ankohen jo vetëm për ndotjen e mjedisit që shkaktojnë me pluhur, tym dhe mbetje këto impiante, por edhe për zhurmën e padurueshme që ato sjellin.

Ndër burimet e tjera të zhurmave në Shqipëri, renditet edhe ndërtimi. Në jo pak raste, banorët e kryeqytetit ku edhe sektori i ndërtimit lulëzon më shumë, janë ankuar për betonierat dhe mjetet e rënda të cilat lejohet të punojnë natën.

Një stres më vete për të gjithë, në fund të fundit, mbetet edhe mënyra se si ne bashkëjetojmë në komunitet. Pompat që ngjisin ujin në katet e larta, apo zhurma e kondicionerëve dimër e verë, janë një shqetësim më vete. Zhurma është e pakontrolluar në mjediset publike dhe në oborret e pallateve, ku fëmijët shpesh rrinë jashtë deri në orën 23-24 duke shqetësuar të tërë banorët. Aq më keq mund ta pësoni, nëse për komshi ju ka rënë dikush që preferon të dëgjojë muzikë me zë të lartë, apo që kryen punime brenda apartamentit orë e pa orë.

Së fundmi, një rregullore për administrimin e pallateve vendos administratorin e pallatit si një rregullator për të gjitha këto shqetësime komunitare. Por, ashtu siç ndodh rëndom, edhe në këtë drejtim do të duhet kohë që të gjithë të mësohemi se kur jetojmë në komunitet, ka një kohë për gjithçka.

Ka një kohë për të kryer punët tona, por ka edhe një kohë për të lënë të tjerët rehat nga veshët!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA