Përplasjet me drejtuesit mbi merkaton e munguar dhe kontradiktat me disa nga yjet e ekipit e kanë kthyer trajnerin Mourinho në personazhin kryesor të një konflikti gjithmonë e më në rritje te Manchester United.
“Teatri i ëndrrave”, me të cilin është pagëzuar impianti i klubit anglez, është kthyer në arenën e një lufte të brendshme, që drejtuesit shpresojnë se nuk do të ndikojë në rezultate.
Shefi ekzekutiv i klubit, Ed Woodward e dinte që para se të firmoste me Mourinhon se do të vendoste nën kontratë një trajner problematik, gjithmonë konfliktual me eprorët, edhe pse me një mentalitet dhe mënyrë fituese.
Por, fakt mbetet që përplasjet me Paul Pogba dhe konferencat e shtypit të kthyera në “shfaqje mediatike” mund të cënojnë ambientin e një skuadre që synon titullin dhe Champions League.
“Në skuadër, asnjë nuk është i lumtur” nënvizon “Daily Mirror”, që kujton se kjo është kriza më e keqe në vitin e tretë të portugezit në “Old Trafford”. Hija e Zinedine Zidane në pankinën e Manchester United sigurisht që nuk ndihmon aspak, por edhe pse ishte menduar një shkarkim i luzitanit, për të do të pritet të shihet klasifikimi, të paktën në muajin dhjetor.
Top Channel