Futbolli çmend botën, tifozët i prishin gjumin ekipit para ndeshjes, murgeshat shpërthejnë në festë pas golit!

30/06/2026 14:06

Futbolli po vazhdon të prodhojë skena të pazakonta edhe jashtë fushës së lojës, ku emocionet shpesh kalojnë çdo kufi dhe kthehen në ngjarje virale në mbarë botën.

Nga atmosfera e tensionuar para ndeshjeve vendimtare deri te momentet e gëzimit në vende të papritura, këto histori tregojnë edhe një herë fuqinë e këtij sporti global.

Tifozët meksikanë nuk i lënë të flenë lojtarët e Ekuadorit para ndeshjes vendimtare

Atmosferë e pazakontë është krijuar në prag të ndeshjes së 1/16-ave të finales mes Meksikës dhe Ekuadorit, ku qindra tifozë meksikanë janë mbledhur poshtë hotelit ku qëndron kombëtarja ekuadoriane.

Sipas pamjeve dhe raportimeve nga vendngjarja, tifozët kanë qëndruar për orë të tëra duke bërë zhurmë të vazhdueshme me borë makinash, trumpetë, altoparlantë dhe kore të fuqishme, duke mos i lënë qetësi skuadrës kundërshtare gjatë natës. Disa lojtarë të Ekuadorit janë parë duke u afruar në dritare për të kuptuar se çfarë po ndodhte jashtë hotelit, ndërsa situata është komentuar gjerësisht si një formë “presioni psikologjik” përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme.

Ndeshja mes dy skuadrave luhet në orët e para të mëngjesit sipas orës evropiane, dhe tensioni në prag të saj është rritur edhe më shumë pas këtij “sulmi zanor” të tifozëve vendas.

Momente emocionuese në Brazil, murgeshat festojnë golin e Martinellit që kualifikoi “Seleçaon”

Një skenë krejt e pazakontë dhe që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale ka ardhur nga Brazili, pas fitores së kombëtares ndaj Japonisë dhe golit vendimtar të Gabriel Martinellit në minutat e fundit të ndeshjes. Goli që siguroi kualifikimin e Brazilit ka shkaktuar emocione të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, por një nga momentet më virale është regjistruar në Manastirin “Santa Maria dos Anjos”. Në pamjet e publikuara, murgeshat e manastirit shihen duke reaguar me gëzim dhe duartrokitje pas golit, duke festuar në mënyrë spontane një moment që për ta ishte po aq emocionues sa për çdo tifoz tjetër në botë.

Ky moment është përshkruar nga përdoruesit në rrjet si një shembull i qartë se futbolli tejkalon çdo kufi, duke bashkuar njerëz të çdo moshe, profesioni dhe mënyre jetese.

Top Channel