Eliminimi i turpshëm nga Botërori, Federata Gjermane i del në mbrojtje trajnerit Nagelsmann: Ai është njeriu i duhur për të vazhduar

30/06/2026 09:36

Pavarësisht eliminimit zhgënjyes të Gjermanisë nga Kupa e Botës në ndeshjen e djeshme ndaj Paraguait , Federata Gjermane e Futbollit ka konfirmuar mbështetjen e plotë për trajnerin Julian Nagelsmann.

Presidenti i federatës, Rudi Völler, pranoi se paraqitja e kombëtares ishte larg pritshmërive, por theksoi se beson ende te Nagelsmanni si njeriu i duhur për të udhëhequr ekipin në të ardhmen.

“Sigurisht, kjo është në thelb e pamjaftueshme. Është e vështirë të pranohet për një komb të çmendur pas futbollit si Gjermania. Ne prisnim më shumë dhe kishim një shans më të mirë për të fituar, kjo duhet thënë qartë. Ne kemi pësuar tashmë dy humbje radhazi, ky është një fakt”, deklaroi Völler.

Megjithatë, kreu i Federatës Gjermane theksoi se eliminimi nuk e ndryshon besimin e tij te trajneri.

“Ai është ende një trajner i nivelit të lartë. Është gjithmonë e lehtë të thuash gjëra të tilla kur fiton vazhdimisht. Ai do të rikuperohet nga një humbje kaq e hidhur dhe do të dëshirojë të sulmojë përsëri.

E di që shumë nuk do ta kuptojnë, duke pasur parasysh mënyrën se si u eliminuam. Mbetem i bindur se ai është ndoshta personi i duhur për të vazhduar”, përfundoi Völler.

Deklarata e presidentit të Federatës Gjermane vjen vetëm disa orë pas eliminimit të “Panzerave” nga Kupa e Botës, duke i dhënë një votëbesim të fortë Nagelsmannit, pavarësisht dështimit për të arritur objektivat e turneut.

Top Channel