Bruno Guimaraes, motori i Brazilit, lider në asiste dhe 44.5 km të përshkuar në Botëror

30/06/2026 14:37

Bruno Guimaraes është motori i heshtur i Brazilit; vrapon, rrëmben topin dhe aktualisht është pasuesi më i mirë i Botërorit 2026 me 4 asiste. I fundit i dha mundësinë Gabriel Martinellit të realizonte përmbysjen në rezultat në ndeshjen e 1/16 të finaleve të kompeticionit

Kapiteni i Newcastle është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Carlo Ancelottit që nga momenti kur trajneri italian mori drejtimin e Seleçaos në maj të 2025. Por ai nuk bindte me lojën e tij deri në momentin që nisi Botërori i SHBA, Meksikës dhe Kanadasë. Futbollisti 28 vjeçar kryeson për momentin klasifikimin për numrin e asisteve të dhënë me 4 të tilla. Guimaraes që ka edhe shtetësinë spanjolle për origjinën e babait të tij, ka pasuar saktë te Vinicius në 2 prej golave të këtij të fundit, një ia dhuroi Matheus Cunha në ndeshjen me Skocinë në fazën e grupeve dhe asisti i katërt ishte për Martinellin pikërisht në minutën e 96 në ndeshjen me Japoninë.

Por jo vetëm kaq, Bruno Guimaraes është një prej futbollistëe që kanë vrapuar më shumë në fushën e lojës deri në këtë moment teksa ka përshkuar 44.5 km në 4 ndeshje. Paraguajani Andrés Cubas kryeson këtë klasifikim me 49.8 km. I lindur në Rio De Janeiro dhe me një vlerë në merkato prej 70 milionë eurosh, Bruno Guimaraesh apo ‘Tchuco’ siç i thërrasin te Seleçao e bëri debutimin e tij me Brazilin në 17 nëntor të 2020 në epokën e trajnerit Tite.

Që nga ai moment ai ka zhvilluar 47 ndeshje me fanelën e 5 herë kampionëve të botës. Në botërorin e 2022 ishte më shumë si figurant teksa në dy ndeshje u aktivizua për pak minuta. Ata që pasuan pas Tites, Ramon Menezes, Fernando Diniz dhe Dorival Júnior besuan te ai dhe të njëjtën gjë po bën edhe Ancelotti me këtë të fundit që e ndihmoi të shfaqë versionin më të mirë të tij.

 

Top Channel