Ndërtuesi i arrestuar në Greqi ishte dënuar në Itali si pjesë e bandës së Aldo Bares

19/08/2018 15:02

Të enjten, në pikën e kalimit kufitar të Mavromatit, e njohur edhe si Qafë Bota, policia greke arrestoi një 48-vjeçar shqiptar biznesmen. Ky është njoftimi i shpërndarë nga policia greke një ditë më pas, e cila sqaron se arrestimi është bërë për llogari të shtetit italian, i cili e kishte dënuar me akuzat e pjesëmarrjes dhe krijimit të organizatave kriminale, kontrabandës dhe trafikimit të drogës, heroinë dhe kokainë.

Policia greke thotë se është ndryshuar edhe emri. Ndërkohë, mësohet se i ndaluari është Mondi Bega, i cili dikur mbante emrin Edmond Bega dhe që në vitin 2009 rezulton të jetë arrestuar edhe në Shqipëri për llogari të shtetit italian. Mondi Bega ishte duke u kthyer në Shqipëri, pas pushimeve që kishte kaluar në ishullin e Korfuzit.

Siç tregon edhe një vendim i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Manoli Bega u ndalua sepse ishte dënuar në Torino në vitin 2008, me 21 vite burg për akuza të rënda. Në lajmet e 9 viteve më parë, mediet raportonin se ishte kapur një nga njerëzit kyç të bandës së Lushnjes, që drejtohej nga Aldo Bare.

Ja çfarë shkruhej pas arrestimit:

Hetuesit italianë kanë përgjuar biseda mes Begos dhe Bares gjatë vitete 2002-2005. Në bazë të përgjimeve, Antidroga italiane kishte arritur të kapte disa sasi narkotikësh, origjina e të cilave ishte laguna e Karavastasë. Emri i Begos përmendet disa herë, duke u cilësuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të krimit në fushën e narkotikëve në Itali”.

Edmond Bega, i njohur edhe me pseudonimin Mario, ka qenë edhe presidentit i Sport Klub Lushnjes deri në vitin 2005. Kur u arrestua në vitin 2009 në Tiranë, ai mbante emrin Manoli Bega, por ka përdorur edhe emrat Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.

Ai është biznesmen në fushën e ndërtimeve në disa zona të njohura të Tiranës dhe ka në pronësi edhe një lokal në afërsi të ish-stadiumit “Qemal Stafa”, ku – siç komentojnë gazetarët, – qëndron në shoqërinë e disa emrave të njohur të politikës. Burime pranë Begës thonë se, pas arrestimit në Greqi, ai është liruar sepse ka dërguar atje vendimet e gjykatave shqiptare, që i konvertuan dënimin italian nga 21 vite burg në 4 vite e 4 muaj, por në qeli ka qëndruar shumë më pak, për shkak edhe të kohës së paraburgimit.

Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë i datës 15 shtator 2010, ku sipas gjyqtarit Fatos Lulo arsyetohet sesi dënimi me 21 vite ka zbritur në 14 vite, e më pas në Shqipëri me 7 vite, dhe në fund përfundon me 4 vite e 4 muaj.

Ky është vendimi që me gjasa i është paraqitur edhe policisë greke, si argument se Edmond, Mondi apo Manoli Bega nuk ka me probleme me drejtësinë. E gjithë dosja ndaj tij nuk ka asnjë rresht për pasuritë e krijuara prej tij, ndërsa drejtësia italiane e dënoi si njeri kyç në bandën e Aldo Bares. Ligji Antimafia, edhe pse është miratuar në fundin e dhjetorit të vitit 2009, kur Bega ishte arrestuar, në këtë rast nuk është përdorur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA