Kampi famëkeq i Calais, ngacmime edhe ndaj vullnetarëve prej policëve

08/08/2018 19:03

Vullnetarë që shpërndanin ushqime e ujë të pijshëm për refugjatët e emigrantët e pastrehë në Calais (Kalè) të Francës janë ngacmuar sistematikisht, por edhe intimiduar, nga policia franceze.

Lajmi konfirmohet nga një raport i publikuar në zyrën e Avokatit të Popullit për shkelje të të drejtave të njeriut në Francë.

Katër shoqata që punonin me shpërndarjen e ndihmave në kampin bregdetar në veri të Francës, përfshi edhe grupin britanik “Ndihmoni Refugjatët), publikuan një raport këtë të mërkurë, ku theksohet se mes nëntorit 2017 dhe korrikut 2018 ka pasur më shumë se 600 incidente intimidimi ndaj vullnetarëve.

Rastet variojnë nga kontrolle të tepërta identiteti e deri te ndalimi dhe kontrolli policor, detyrimi për të paguar gjobat e parkimit dhe përkëdheljet në pjesë të ndryshme të trupit, deri te kërcënimet, ofendimet dhe dhuna verbale e fizike.

Në raport shkruhet se ka pasur 37 incidente me dhunë fizike, përfshi këtu rrëzimin përtokë nga policia të punonjësve të ndihmave, rrëmbimi i telefonave dhe detyrimi i njerëzve për t’u larguar nga vendshpërndarja e ushqimeve.

Në disa raste vullnetarët britanikë janë veçuar nga policët francezë, që i pengonin ata të ofronin ujë e ushqime, sipas raportit. Vullnetarë me pasaporta britanike apo mjete me targa britanike janë monitoruar rreptësisht duke mos iu lejuar hyrja në zonën afër Dunkirkut, në bregdetin francez, për të shpërndarë vaktet ushqimore për refugjatët dhe emigrantët që flinin në kushte çnjerëzore. Atyre iu është komunikuar disa herë se “shoqatat britanike” nuk ishin të autorizuara për të qenë atje.

Pas mbylljes së kampit të madh të improvizuar të emigrantëve në Calais (Kalè) në tetor të vitit 2016, qindra njerëz përfunduan të flinin rrugëve në bregdetin verior francez, në kushte të papërshtatshme dhe pa kushte higjienosanitare.

Top Channel