Trump pranon takimin e të birit me avokaten ruse: Për informacione mbi Clintonin

06/08/2018 19:14

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se takimi i qershorit të vitit 2016, mes djalit të tij dhe një avokateje të lidhur me Kremlinin, në Kullën “Trump” në Nju Jork, është bërë për të marrë informacione për kundërshtarët politikë, mirëpo sipas tij gjithçka ka qenë “ligjore”.

Në një postim në “Twitter”, Trump ka thënë se takime të këtij lloji “janë bërë gjithmonë në politikë”. Sipas një dëshmie të Kongresit, në takimin e vitit 2016 kishin marrë pjesë djali i presidentit Trump, Donald Trump Junior, dhëndri i tij Jared Kushner, udhëheqësi i fushatës së Trumpit asokohe, Paul Manafort, avokatja ruse Natalya Veselnitskaya, si dhe disa persona të tjerë.

Takimi kishte ndodhur pasi një ndërmjetësues rus i kishte thënë djalit të Trumpit se, një zyrtar rus kishte dokumente që do të dëmtonin rivalen e Trumpit në zgjedhje, Hillary Cilinton.

Postimi i Trumpit në “Twitter” përbën deklaratën e tij më të drejtpërdrejtë sa i përket këtij takimi, ndonëse djali i tij dhe të tjerët kanë pranuar se në takim është diskutuar për mbledhjen e informacioneve për Clintonin.

Presidenti amerikan ka deklaruar më herët se në takim është diskutuar për adoptimin e fëmijëve rusë nga amerikanët. Në “Twitter”, Trump ka thënë gjithashtu se nuk është i shqetësuar, nëse djali i tij mund të përballet me procedura ligjore për këtë takim.

Prokurori special, Robert Mueller, në anën tjetër është i angazhuar për të hetuar nëse ekipi i fushatës së Trumpit është koordinuar me Rusinë për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve në favorin e tij. Trump deri më tani ka kundërshtuar çdo bashkëpunim me Moskën, madje i ka cilësuar hetimet në SHBA si “gjuetia më e madhe të shtrigave në histori”.

Top Channel