Sulmi me “Novichok”, Britania i kërkon Moskës ekstradimin e dy rusëve

06/08/2018 17:24
Viktima e vetme nga sulmi me Novichok.

Qeveria britanike pritet t’i dorëzojë Moskës kërkesën për ekstradimin e dy shtetasve rusë, të dyshuar për kryerjen e sulmit me agjentin nervor “Novichok” në Salisbury, që shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e tri të tjerëve.

Lëvizja e fundit vjen pas muaj të tërë hetimesh të përpikta nga qindra oficerë të policisë dhe agjencive të kundërzbulimit. Ata kanë studiuar të gjitha lëvizjet e dy shtetasve rusë, që prej hyrjes së tyre në Britani, deri në largimin e tyre.

Shërbimi Mbretëror i Hetimit, që ka përgatitur kërkesën për ekstradim, ka përfunduar procesin dhe pritet gati dorëzimi i saj. Kërkesa pritet të ndezë sërish mosmarrëveshjet diplomatike me Rusinë, që me siguri do ta refuzojë, duke shkaktuar një tjetër raund dëbimesh diplomatike mes palëve.

Marrëdhëniet mes Britanisë dhe Rusisë janë përkeqësuar në pikën më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë, pas sulmit me agjent nervor ndaj Sergei Skripalit, një ish-kolonel i kundërzbulimit ushtarak rus, dhe vajzës së tij Yulia, gjatë muajit mars në Salisbury.

Ata u gjetën të pandërgjegjshëm në një stol parku, pranë një qendre tregtare, pasi ishin ekspozuar më herët ndaj substancës kimike “Novichok”. Shefi i kundërzbulimit britanik ka fajësuar specifikisht Rusinë për sulmin në fjalë.

Top Channel