Rrëzohet avioni në Zvicër, humbin jetën 20 persona

05/08/2018 16:18

20 persona kanë humbur jetën pasi një avion i vjetër i luftës së Dytë Botërore u rrëzua në një zonë malore në Zvicër. Avioni, një “Junker JU-52 HB-HOT” mbante 17 pasagjerë dhe tre pjesëtarë të ekuipazhit në një udhëtim turistik.

Operatori Ju Air tha se ishte i trishtuar nga lajmi dhe se kishte hapur një linjë ndihme për të afërmit e viktimave.

Kompania ka pezulluar tani të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë. Shkaku i aksidentit ndërkohë është ende i panjohur. Një dëshmitar okular tha për mediat zvicerane se avioni kishte bërë kthesë 180 gradë drejt jugut dhe kishte rënë në tokë si një gur. avioni u rrëzua në një faqe mali rreth 2540 metra mbi nivelin e detit.

Avioni i epokës ishte prodhuar në gjermani në vitet 1930. Ju Air organizon udhëtime turistike me skuadronin e saj të avionëve të prodhuar në gjermani. Ndërkohë, në një tjetër aksident ajror të shtunën, një familje prej katër personash, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën kur një avion i vogël u rrëzua në Zvicrën qendrore.

Top Channel