SHBA, Gjykata urdhëron rifillimin e programit DACA

04/08/2018 22:58

Një gjykatës federal amerikan ka vendosur që administrata e Presidentit Trump duhet të rifillojë një program që mbron nga deportimi imigrantët e rinj pa dokumente që janë sjellë në Amerikë në rrugë të paligjshme kur ata ishin fëmijë.

Gjykatësi po ashtu vendosi që Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë aplikime të reja për programin e njohur si DACA.

Megjithatë gjykatësi John Bates, i dha afat qeverisë deri me 23 gusht që të vendosë nëse dëshiron të apelojë vendimin. Në muajin prill, gjykatësi Bates i dha qeverisë 90 ditë afat që të prezantojë argumente për dhënien fund të programit DACA. Gjykatësi tha se argumenti i prezantuar nga qeveria nuk i kishte ndryshuar mendimin.

Në prill, gjykatësi Bates e quajti arsyetimin e qeverisë për dhënien fund të programit si “arbitrat dhe kapriçoz”. Ai tha se argumenti i qeverisë dështoi të “spjegonte në mënyrë adekuate konkluzionin se programi ishte i paligjshëm”.

Në fillim të vitit gjykata federale në Nju Jork dhe Kaliforni dhanë urdhër që programi DACA të vazhdojë procesin e përtëritjes së dokumenteve, por nuk i kërkonte qeverisë që të pranonte aplikime të reja. Programi DACA ofron punë të përkohëshme dhe leje studimi për rreth 700 mijë imigrantë të rinj, program që njihet edhe si “Endërrimtarët”. Për shumicën e këtyre imigrantëve, Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm që ata njohin.

Ata paguajnë taksat, janë pronarë biznesesh, kanë familje, janë diplomuar në kolegje dhe kanë shërbyer në ushtri. Organizata dypartiake FWD.us e përbërë nga udhëheqës të komunitetit të teknologjisë dhe biznesit, publikoi një dekleratë ku thuhet se : “Këta të rinj amerikanë duhet të jenë në gjendje të planifikojnë jetën e tyre dhe të vazhdojnë kontributet e tyre të jashtëzakonshme ndaj Amerikës në vend që të detyrohen të jetojnë në pasiguri nga vendimi i një gjykate në tjetrën”. Programi DACA u krijua në vitin 2012 nën administratën e Presidentit Barack Obama.

Top Channel