Pas Luftëtarit dhe Partizanit, ishte Laçi ai që i dha lamtumirën arenës europiane nga klubet e Kategorisë Superiore.

Tashmë, i vetmi përfaqësues i kampionatit shqiptar në kompeticionet e UEFA-s është skuadra e Kukësit.

Skuadra verilindore i dha lamtumirën Champions League, pasi u eliminua nga Qarabagu i Ansi Agollit me rezultatin e përgjithshëm 5-0, e sipas skemës së kualifikueseve të qeverisë së futbollit europian, Kukësi i Armando Cungut do të vijojë aventurën e tij europiane në Europa League.

Në raundin e tretë kualifikues të kompeticionit të dytë për nga rëndësia, nënkampionët e vendit do të luajnë ndeshjen e tyre të radhës ndaj gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisit, me këta të fundit që eliminuan ekipin Vikingur nga Ishujt Faroe.

Vijimi i aventurës europiane, Kukësit i siguron të ardhura të tjera financiare. Gjatë pjesëmarrjes në Champion League, Kukësi ka mundur të sigurojë 660 mijë euro; 280 mijë nga raundi i parë kualifikues dhe 380 mijë nga raundi i dytë.

Me kalimin në raundin e tretë, Kukësi përfiton edhe 280 mijë euro të tjera – edhe nëse eliminohet, – për ta çuar në 940 mijë euro shifrën totale të përfitimeve financiare nga pjesëmarrjet në kompeticionet e UEFA-s.

Ndeshja e parë mes Kukësit e Torpedos do të luhet më 9 gusht, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa ajo e kthimit do të luhet një javë më pas, më 16 gusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA