Përmes një statusi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar vendimin e gjykatës ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, që sipas tij ka rrëzuar një prej mekanizmave kryesorë të ligjit për dekriminalizimit: falsifikimin e formularit, që duhej të dënohej me burg.
“Kjo është një ftesë për kriminelët, që ligji i dekriminalizimit të mos i penalizojë e të ndihen të paprekshëm dhe të mbrojtur nga Rama”, shkruan ndër të tjera Bylykbashi.
Por, deputeti demokrat është shprehur edhe më i ashpër në lidhje me vettingun, duke shkuar deri aty sa ta quajë “banditing”.
“Pardje pashë dy lajme. Një nga vettingu dhe një nga gjykata. I pari thoshte se një gjyqtari të Gjykatës së Lartë i rrezikohej mandati, sepse e kishin parë në prani të një personi ‘të rrezikshëm’, që media thoshte e kishte të afërm. I rrezikshëm, sepse na ishte kapur me ‘plot’ 0.4 gram kanabis (ose zero presje katër gramë, që të kuptohet që nuk kam shkruar gabim) e jo me 1, 2 apo 3 tonë kanabis, si kushërinjte apo vëllezërit e ministrave që ka rrotull Kryeministri. Pashë një gjykatës të lartë, që rrinte i heshtur përpara një trupe pompoze nëpunësish administrativë, që nuk e di nëse kanë ëndërruar profesionalisht ndonjëherë të jenë pjesë e Gjykatës së Lartë, e tashmë kanë në duar fatin e gjykatësve e prokurorëve”, shprehet në postin Bylykbashi.
“Lajmi i dytë fliste për Elvis Rroshin, i dënuar për përdhunim në grup, i dënuar për plagosje me armë zjarri, i proceduar për vepra të tjera të rënda penale me emra të ndryshëm, që kishte kryer krimin e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, por që Edi Rama e mbronte në publik, edhe pse ishte kriminel. Elvis Rroshi u dënua me një dënim të ‘tmerrshëm’, vetëm 60 orë punë në komunitet, edhe pse u provua që ka falsifikuar formularin shtetëror dhe për këtë dënimi shkon deri me burg”, vijon më tej Bylykbashi.
Ish-kryebashkiaku i Kavajës dhe, siç shprehet deputeti i PD-së, “një bandë kriminelësh në Parlament, bashki dhe administratën e Ramës”, u bënë simbol i nevojës për ndryshimin e Kushtetutës, që të miratohej ligji i dekriminalizimit. Por, Elvis Rroshi doli i qeshur e me kokën lart nga gjykata. “Në atë buzëqeshje, ai shprehte triumfin mbi drejtësinë me ndihmën e tutorit të tij politik”, shkruan më tej deputeti demokrat.
“Rama vrau me dorën e gjykatësve të frikësuar nga vettingu një nga armët e ligjit të dekriminalizimit: kur guxon dhe mashtron e falsifikon formularin e dekriminalizimit, që të marrësh post publik edhe kur je i dënuar, shkon në BURG! Kjo është ftesë e re për kriminelët. Na ndihmoni me vota të blera, ne iua shpërblejmë me poste. Ju mashtroni në formularin e dekriminalizimit, se maksimumi dy muaj punë në komunitet do të dënoheni”, ironizon Bylykbashi.
Në fund, ai e mbyll me kritikën e ashpër ndaj drejtësisë së reformuar.
“Në këtë Drejtësinë e Reformuar me mbikëqyrje nga ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit), vettingu ka bërë që ikën gjyqtari që ka dhënë dënime me burg për kriminelë, por ai që ka ‘përdhunuar në komunitet’ dënohet me ‘punë në komunitet’, pra lihet i lirë. Fati i banditit dhe gjyqtarit bashkohen, ndahen dhe përcaktohen në psiqikën që nuk fal të Edi Ramës. Une nuk e kam lexuar, por nuk është çudi, që gjyqtarin ta ketë përmendur me emër te ‘Kurbani’. Një pyetje kam: nëse gjyqtari do të ishte parë në shoqërinë e Elvis Rroshit, siç qëndron Rama, a do të përbënte kusht skualifikimi në sytë e këtyre nëpunësve të vettingut? Po çfarë vetting thoni, ky është banditing!”.
Top Channel