Alarmet e rreme për bomba, grupi ekstremist rus dyshohet pas kërcënimeve në mbi 27 fluturime në Europë
Presidenti Donald Trump tha të premten se ligjvënësit republikanë duhet të heqin dorë nga përpjekjet për të miratuar një projekt-ligj për imigracionin para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin.
Në një seri komentesh në Twitter, ai fajësoi demokratët që nuk po i mbështesin projektligjet e paraqitura për këtë qëllim në Kongres, ndërkohë që kriza e imigracionit është bërë qendër debatesh në të gjithë vendin.
Presidenti Trump do të flasë sot për emigracionin në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi me disa familje të cilave u janë vrarë të afërm nga njerëz që kanë hyrë ilegalisht në SHBA.
Thirrja e Presidentit Trump që Kongresi të shtyjë votimin për projektligjet mbi emigracionin vjen pasi udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kanë mundur ditët e fundit të grumbullojnë mbështetje të mjaftueshme për dy projektligje që kërkojnë reformimin e ligjeve amerikane të imigracionit dhe forcimin e sigurisë në kufi.
Demokratët shpresojnë se do të marrin vende të mjaftueshme në nëntor për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ata shpresojnë gjithashtu të marrin vende në Senat, por shanset për të fituar kontrollin e Senatit janë më të pakta.
Top Channel